Forcat të shumta policore kanë shkuar sërish mëngjesin e sotëm të Bregu i Lumit për prishjen e shtëpive, të cilat janë parashikuar në kuadër të projektit të ‘Bulevardit të Ri’.
Siç shihet edhe në video, ka konfrontime mes banorëve dhe forcave të policisë.
Ish-deputetë të Partisë Demokratike, studentë dhe aktivistë kanë shkuar pranë banorëve në mbështetje të tyre. Konfrontim ka pasur jo vetëm me banorët, por edhe me ish-deputetët që kanë shkuar për t’i mbështetur. Policia ka goditur ish-deputetët e opozites, Klevis Balliu dhe Endrit Braimllari.
Janë 38 banesa në zonën e Bregut të Lumit që janë përjashtuar nga skema e dëmshpërblimit dhe iu është ndërprerë procesi i legalizimit. Banorët kërkojnë dëmshpërblim para se të vijohet me projektin e zgjatimit të Bulevardit të Ri.
Edhe në aksionin e disa ditëve më parë ka pasur tension dhe konfrontime fizike.
Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë banorët, të cilët kërkuan me ngulm dëmshpërblim financiar para se të prishen banesat e tyre.
Partia Demokratike dënoi me ashpërsi ndërhyrjen dhe dhunën e Policisë ndaj banorëve, ndërsa veprimet e tyre i ka cilësuar të papranueshme dhe njëherësh kriminale, pasi janë vënë në shënjestër njerëzit e thjeshtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.