Futboll

Brazili zgjidh çështjen e trajnerit, zyrtarizon Dorival Junior në krye të Seleçaos

Gazeta Si - Dorival Junior është trajneri i ri i Brazilit. Ish-trajneri i Flamengos dhe Sao Paulos ka marrë drejtimin e Seleçaos pas largimit të trajnerit të përkohshëm Diniz dhe rënies përfundimtare të pistës Ançeloti. Diniz u largua pas 6 muajsh në krye të Brazilit dhe 6 ndeshjesh të luajtura.

"Është realizimi i një ëndrre personale, që është bërë e mundur nga vlerësimi i punës që kam bërë te Sao Paolo. Ju falënderoj që isha pjesë e kësaj periudhe me ju. Dua të falënderoj dhe tifozët për dashurinë dhe mbështetjen që më kanë dhënë”, - tha Dorival Junior për klubin e tij, Sao Paulos.

Trajnerit të ri i është besuar misioni për të përmirësuar klasifikimin e Brazilit në kualifikueset e Botërorit 2026, ku Seleçao mban vendin e 6-të aktualisht, shumë poshtë pritshmërive.

Te Brazili besuan shumë se do të merrnin italianin Karlo Ançeloti në krye të skuadrës kombëtare, por ai rinovoi me Real Madridin. Një tjetër emër që doli në skenë ditët e fundit ishte Zhoze Mourinjo, edhe ai një pistë shumë e vështirë. Tashmë gjithçka ka marrë formë zyrtare me emërimin e Dorival Junior.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë