Futboll

Brazili vajton ‘Profesorin’! Shuhet Mario Zagallo, 4 herë kampion bote si lojtar dhe trajner

Gazeta Si – Ndërron jetë në moshën 92-vjeçare Mario Zagallo, fitues i 2 Botërorëve si lojtar, 1 si trajner dhe 1 si zëvendëstrajner i Brazilit. I pari që e ka fituar Kupën e Botës si lojtar dhe si trajner, Zagallo është për brazilianët sinonim i patriotizmit, grintës dhe lavdisë.

"Me trishtim të thellë, - shkruhet në profilin e tij në Instagram, - ju bëjmë me dije ndarjen nga jeta të të përjetshimit tonë, katër herë kampion bote, Mario Jorge Lobo Zagallo". Menjëherë kanë filluar reagimet, me në krye presidentin e Federatës Braziliane të Futbollit, Ednaldo Rodrigues: "Na lë sot një nga legjendat më të mëdha të futbollit”, - shkruan ai.

I mbiquajtur 'Profesori', Zagallo ka luajtur një rol thelbësor në 4 nga 5 Botërorët e fituar nga Seleçao. Si lojtar e ka fituar në 1958-ën në Suedi dhe në 1962-shin në Kili. Në stol e udhëhoqi Brazilin në titullin e 1970-ës në Meksikë dhe ka qenë ndihmëstrajner në suksesin e 1994-ës në SHBA.

Zagallo ishte sërish trajner në 1998-ën, kur Brazili i Ronaldos u mund 3-0 në finale nga Franca. Vetëm Franc Bekenbauer (1974 si lojtar dhe 1990 si trajner) dhe Deshamp, pas suksesit me Francën në Rusi 2018, kanë arritur ta imitojnë. Një statujë e Zagallos është vendosur përpara stadiumit ‘Nilton Santos’ të Rio de Zhaneiros.

Ka lindur më 9 gusht 1931 në Maceió, në veri të Brazilit, nga një familje me origjinë libaneze dhe italiane. Mario Jorge Lobo Zagallo e nisi karrierën në 1948-ën me klubin modest Amerika di Rio, më pas luajti 8 sezone me Flamengon dhe 7 me Botafogon. Me kombëtaren u bashkua në maj të 1958-ën, para se të fitonte trofeun e parë Jules Rimet në moshën 27-vjeçare, me shokët e lavdishëm të ekipit, si Pelè, Garrinça, Didi dhe Vava.

"Zagallo është si një vëlla për mua. Kur shkuam në Suedi, isha 17 vjeç, pjesëtari më i vogël i skuadrës. Zagallo, bashkë me Zito dhe Gilmar më thanë se do të më merrnin ata në mbrojtje”, -deklaronte Pelè në gusht të 2013-ës, në ditëlindjen e Zagallos.

Mjaft supersticioz, Zagallo kishte një besim të madh te numri 13 që kishte në fanellë. U martua më 13 qershor, banonte në katin e 13-të, targën e makinës e kishte 13. E la futbollin e luajtur në 1964-ën, para se të niste karrierën si trajner.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë