Lajme

Brazili ngre kupën në shtëpi, kampion i Amerikës pas 12 vitesh

Shpërthen festa në Rio De Zhaneiro. Brazili triumfon në stadiumin “Marakana”, duke mundur 3-1 Perunë në finalen e Kupës së Amerikës. Ka fituar logjika e futbollit, me ekipin organizator që është treguar i pamëshirshëm. Një ndeshje me emocione, ku ndodhi gjithçka, pavarësisht se Brazili ishte favorit absolut në letër. Katër gola, dy penallti të akorduara me VAR, nga një për secilën skuadër, dhe një karton i kuq për sulmuesin Gabriel Jesus.

Brazili shënoi shpejt me sulmuesin anësor Everton, por në fundin e pjesës së parë veterani i Perusë, Guerrero, barazoi shifrat me një penallti të shkaktuar nga Tiago Silva dhe të konfirmuar nga VAR-i. Në shtesën e pjesës së parë, Gabriel Jesus ktheu Brazilin në avantazh. Kur dukej se gjithçka po shkonte si duhet për djemtë e trajnerit Tite, situata u komplikua nga kartoni i kuq për Gabriel Jesus, pas një faulli të rëndë, që solli të verdhën e dytë për këtë futbollist. Brazili e administroi mirë lojën edhe me 10 vetë dhe në minutën e fundit fitoi një penallti po me VAR. Nga pika e bardhë ishte Riçarlison që shënoi dhe mbylli llogaritë, duke plotësuar në një farë mënyre edhe profecinë e Mesit, i cili kishte thënë pas ndeshjes me Brazilin se Kupa e Amerikës është e korruptuar dhe se ekipi organizator ishte paracaktuar kampion.

Gabriel Jesus feston golin e dytë të Brazilit

Ky është triumfi i 9-të i Brazilit në Kupën e Amerikës, një trofe që nuk e fitonte që nga viti 2007. Nuk mund të gabonte në shtëpi skuadra e Tites, që ngushëllohet kështu pas Botërorit të Rusisë me Kupën e Amerikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë