Lajme

Brazili në finale, Mesi shpërthen në akuza: Ata manipulojnë gjithçka!

Dy gola nga Gabriel Jesus dhe Firmino çojnë Brazilin në finale të Kupës së Amerikës. Në “Belo Horizonte”, më në fund 90 minuta spektakolare në këtë kompeticion. "Superklasiko" nuk ka zhgënjyer, nuk i ka tradhtuar pritshmëritë. Një betejë e vërtetë në fushë, ritëm i lartë, raste për shënim, nerva, emocione pa fund dhe kontestime. Ka triumfuar Brazili, që kthehet në finale pas 12 vitesh, falë golave të Gabriel Jesus dhe Firmino, të cilët kanë larguar edhe fantazmat e “Mineiraos”, gjysmëfinales katastrofike të Botërorit ndaj Gjermanisë, ku Seleçao u mund 7-1. Brazilianët iu imponuan rivalëve të përjetshëm për herë të tretë radhazi, pas finaleve të fituara në vitet 2004 dhe 2007. Argjentina është ndalur nga shtyllat dy herë në këtë ndeshje dhe në fund ka mbetur vetëm hidhërimi dhe zhgënjimi për Mesin me shokë.

Seleçao ishte superior në fushë në pjesën më të madhe të kohës. Që në minutën e 19-të Brazili kaloi në avantazh me sulmuesin e Mançester Sitit, Gabriel Jezus. Më pas rrezikoi edhe disa herë, ndërsa Argjentina provoi me të gjitha mënyrat të barazonte, por nuk ia arriti. Lautaro, Aguerro dhe Mesi nuk ia dolën të mposhtnin portierin Alison, i cili ishte me fat, sepse dy herë e shpëtuan shtyllat, në fillim pas gjuajtjes së Aguerros dhe në pjesën e dytë pas gjuajtjes së Mesit. Në fund, fitores së Brazilit i vuri “kapak” Firmino, duke çuar në portën e boshatisur një top të dhuruar nga Gabriel Jesus. Një fitore e merituar e Brazilit. Trajneri Tite kishte rikuperuar Kasemiron pas skualifikimit, si dhe Fernandinjon, Luis Felipen dhe Riçarlisonin nga dëmtimet, por tre të fundit qëndruan në stol.

Festë për Brazilin, që pret të mësojë kundërshtarin e finales nga gjysmëfinalja tjetër Kili-Peru. Zhgënjim mjaft i madh tek Argjentina dhe si kurrë më parë, Lionel Mesi ka shpërthyer me akuza ndaj gjykimit. Shumë rrallë është parë një Mesi kaq nervoz. “Nuk janë justifikime, por gjykimi ishte absurd. Episode të qarta, që nuk u panë në sistemin VAR. Shpresoj që Conmebol të bëjë diçka, edhe pse këtu Brazili kontrollon dhe manipulon gjithçka”. Ishte kjo deklarata mjaft e ashpër e yllit argjentinas menjëherë pas eliminimit nga Kupa e Amerikës. Më pas ai ka qartësuar se nuk ka në plan ta braktisë Argjentinën: "Nëse duhet ta ndihmoj në një mënyrë apo tjetër kombëtaren, do ta bëj. Ndihem shumë mirë me këtë grup. E nisëm ndeshjen keq, por gradualisht u rritëm. Ishte ndeshja më e mirë për ne në Kupën e Amerikës, ndaj një rivali të fortë si Brazili. Ata kanë lojtarë spektakolarë, por përtej rezultatit, treguam se jemi në lartësinë e duhur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë