Para

Brazili dhe Argjentina do të krijojnë monedhën e tyre të përbashkët të ndarë nga dollari

Brazili dhe Argjentina do të njoftojnë këtë javë se po nisin punën për një monedhë të përbashkët, lëvizje që mund të krijojë bllokun e dytë më të madh në botë të një monedhe. Dy ekonomitë më të mëdha të Amerikës Jugore do të diskutojnë planin në samitin e Buenos Aires këtë javë dhe od të ftojnë edhe shtetet e tjera të Amerikës Latinë që të shtohen.

Fokusi parësor do të jetë se si një monedhë e re, që Brazili kërkon ta quajë "sur" (jug) mund të rrisë tregtinë rajonale dhe të ulë varësinë ndaj dollarit.

Në fillim do të shkonte paralelisht me peson brazilian dhe argjentinas. "Do të ketë një vendim për të filluar studimin e parametrave të nevojshëm për një monedhë të përbashkët, e cila përfshin gjithçka, nga çështjet fiskale deri te madhësia e ekonomisë dhe roli i bankave qendrore”, - tha ministri i ekonomisë së Argjentinës Sergio Massa për Financial Times. “Do të ishte një studim i mekanizmave për integrimin tregtar,” shtoi ai. “Nuk dua të krijoj pritshmëri të rreme,  është hapi i parë në një rrugë të gjatë që Amerika Latine duhet të kalojë.”

Fillimisht një projekt dypalësh, nisma do t'u ofrohet edhe vendeve të tjera në Amerikën Latine. “Është Argjentina dhe Brazili që ftojnë pjesën tjetër të rajonit”, tha ministri argjentinas. Një bashkim valutor që mbulonte të gjithë Amerikën Latine do të përfaqësonte rreth 5% të PBB-së globale, vlerëson FT.

Unioni më i madh i monedhës në botë, euro, përfshin rreth 14% të PBB-së globale kur matet në terma dollari. Blloqe të tjera të monedhës përfshijnë frangun CFA, i cili përdoret nga disa vende afrikane dhe i lidhur me euron, dhe dollari i Karaibeve Lindore. Megjithatë, këto përfshijnë një pjesë shumë më të vogël të prodhimit ekonomik global.

Projekti ka të ngjarë të marrë shumë vite që të realizohet; Massa vuri në dukje se Europës iu deshën 35 vjet për të krijuar euron. Një njoftim zyrtar pritet gjatë vizitës së presidentit brazilian Luiz Inácio Lula da Silva në Argjentinë që fillon të dielën mbrëma, udhëtimi i parë jashtë vendit i të majtës veterane që nga marrja e pushtetit më 1 janar. Brazili dhe Argjentina kanë diskutuar një monedhë të përbashkët në vitet e fundit, por tani që të dy vendet qeverisen nga udhëheqës të majtë, ka një mbështetje më të madhe politike./Financial Times


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë