Politike

Braimllari: Disa u gëzuan, por s’kam ndër mend të iki nga PL. S’jam tradhtar. Ku s’bie dakord me Metën  

Endrit Braimllari, ish-nën kryetar, i pari që dha dorëheqjen nga lidershipi PL tha se lëvizja e tij ishte një hap pas për të mos përsëritur të njëjtin skenar si në Partinë Demokratike.

“Kam bërë disa hapa pas sepse e gjykova të arsyeshme që duhet të veproja ashtu për të ç’tensionuar situatën brenda partisë, sepse gjykoj që energjia duhet të shkoj kundër qeverisë dhe jo brenda partisë, duke pasur parasysh çfarë ka ndodhur me PD që prej 2 vitesh filloi me një debat të brendshëm, që i shërbeu vetëm Ramës dhe jo fuqizimit të opozitës, nuk doja të ribëja të njëjtën gjë”, u shpreh Braimllari në emisionin “Debat” në  A2 CNN.

Dorëheqja, sipas tij,  nuk ka qenë e kërkuar nga Ilir Meta.

“Nuk ma ka kërkuar dorëheqjen Ilir Meta, personazhe që janë afër kryetarit të partisë nuk merren me keqqeverisjen, po me Endrit Braimllarin. Të mendosh ndryshe nuk është tradhti. Më kanë atakuar familjarët. Kush? Ai që po udhëheq veprimin ”, shtoi ai.

“Nëse Endrit Braimllari akuzohet si bashkëpunëtor i Engjëll Agaçit apo i Erjon Velisë, nxirrni faktet. Nuk kam bashkëpunuar, zero, zero bashkëpunim dhe koha do jetë dëshmitari më i mirë, jam produkt politik i LSI, nuk tradhtoj idealet e LSI”, vijoi ai.

Braimllari tregoi gjithashtu se ai nuk është dakord me Metën me aksionin që ka ndërmarrë së fundmi.

“Ilir Meta mund të ketë të drejtë për çështjen e organizimit të Partisë, dhe nëse do ishte vetëm kjo gjë dhe unë do isha i pari që do jepja dorëheqjen, por unë mendoj që në një aksion politik nuk është përgjegjës vetëm  një person. 14 maji nuk është vetëm i im, nuk lejoj që të hidhet baltë mbi angazhimin tim politik”, shtoi Braimllari.

Megjithatë, ai ka një mesazh për kritikët që ka brenda partisë.

“Disa menduan që kam ikur nga PL, unë nuk iki, ato që gëzohen e kanë shumë gabim. Unë nuk jam për këtë funksionim”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë