Politike

Braçe: Të rrëzojmë sistemin e përjashtimeve dhe favoreve për të pasurit

Duke iu referuar strategjisë ekonomike të Komisionit Europian për vitin 2022, ku propozohet më shumë taksa për korporatat dhe kompanitë e mëdha dhe më shumë lehtësi për bizneset e vogla, Erion Braçe thotë se ky është trendi global i politikave fiskale dhe u përgjigjet akuzave se po sulmon të pasurit.

“Nuk qenka thjesht e majtë, as si reminishencë, as si populizëm. Takso të pasurit nuk qenka thjesht amerikane, qenka edhe europiane”, shkruan ai.

Deputeti socialist më tej ngre pyetjen se ku është Shqipëria në këtë drejtim. Ai thotë se është bërë gjysma e punës, ajo për lehtësimin e biznesit të vogël, por tani mbetet gjysma tjetër; ajo e taksimit të të pasurve.

Mes rreshtave, ish-zv.Kryeministri shkruan se kjo kategori vijon t’u shmanget taksave. Ai rendit kompanitë më të mëdha që operojnë në të gjitha fushat në vendin tonë, duke deklaruar se taksat që ato paguajnë në shtet janë fare minimale në krahasim me xhiron reale që kryejnë. Braçe thotë se kompanitë e mëdha ulin fiktivisht fitimet e tyre për të paguar më pak tatim mbi fitimin.

“Takso të pasurit nuk është urrejtja e Erion Braçes kundër të pasurve të këtij vendi, nga Samimr Mane te Fiqiri Ismaili. Por, është një ekuilibër në sistemin fiskal që vendos drejtësi duke mbledhur të ardhurat e çdo punëtori, çdo sipërmarrësi, fitime nga kapitali, dividentët, aksionet, qiratë, depozitat dhe tatuar në shkallë progresive të arsyeshme që mbron fort punëtorët dhe shtresën e mesme”, shkruan ai.

Braçe thotë se duhet rrëzuar sistemi i përjashtimeve dhe favoreve që u kanë mundësuar të pasurve të paguajnë kaq pak tatime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë