Nga Gazeta ‘Si’– Deputeti socialist Erion Braçe ka rikujtuar ambicien e tij për të garuar për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e vitit 2027.
Përmes një postimi, Braçe shprehet se është i gatshëm t’i shërbejë kryeqytetit nëse zgjidhet kryebashkiak, ndërsa ka komentuar edhe zhvillimet brenda Partisë Socialiste për përzgjedhjen e kandidatit.
Ai thotë se ditët e fundit ka marrë mesazhe nga qytetarë, të cilët i kanë treguar se personave të ndryshëm u është thënë të nisin punën në terren, pasi mund të jenë kandidatë të mundshëm për Bashkinë e Tiranës.
Sipas deputetit socialist, kjo tregon se brenda PS-së ka interes dhe lëvizje për garën, të cilën ai e konsideron të dobishme.
“Shikoni, kjo është shumë mirë. Ka gjallëri, edhe pse e padukshme, edhe pse ‘nuk është momenti’. Mua më pëlqen të ketë garë, punë konkrete në territor, diskutime për zgjidhje”, shkruan Braçe.
Ai thekson se vetë nuk ka pritur një konfirmim nga drejtuesit e partisë për të nisur punën, por thotë se prej kohësh po ndjek nga afër problematikat e Tiranës dhe po diskuton me banorët për nevojat e qytetit.
“Jam edhe unë një nga të gjithë dhe nuk prita të më thotë dikush: ‘Do të jesh ti, puno tani’. Jo. Ndjeva njerëzit në rrugët dhe lagjet e Tiranës, pashë çfarë nuk ecën dhe krijon probleme. Po kuptoj qytetin dhe nevojat e tij rrugicë më rrugicë”, shprehet ai.
Braçe e bën të qartë se synon të jetë pjesë e garës dhe se do të luftojë për ta fituar atë.
“Po pres garën dhe do t’i shkoj deri në fund, si gjithmonë, për ta fituar këtë punë, sepse punë është!”, shkruan deputeti socialist.
Në postimin e tij, Braçe kritikon gjithashtu mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve përmes njoftimeve dhe më pas votimit, duke argumentuar se qytetarët duhet të kenë një rol më të drejtpërdrejtë në vendimmarrje.
Sipas tij, socialistët dhe qytetarët e Tiranës nuk duhet të mjaftohen me kandidatë të përcaktuar paraprakisht, por duhet të përfshihen në procesin e zgjedhjes.
“Socialistët, para së gjithash, por edhe njerëzit më gjerë – sidomos në këtë qytet – duan të jenë pjesë e vendimmarrjes, jo të marrin dhe të votojnë njoftime si produkt i një vendimmarrjeje që po bëhet gjithnjë e më e ngushtë dhe që nuk i përfshin”, shkruan Braçe.
Ai e mbyll mesazhin duke kërkuar ndryshim në mënyrën e përzgjedhjes dhe përfshirjes së qytetarëve në garën për drejtimin e Tiranës.
“Kjo duhet të ndryshojë dhe Tirana e meriton!”, përfundon ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje