Politike

Braçe: Protestojnë për Saliun, kërkojnë që ta njohim si kreun e PD. Koçi: E porositur nga faktorë kundër Kosovës

Deputeti i PS-së, Erion Braçe ka ironizuar vendimin e sotëm të deputetëve të opozitës, të cilët në shenjë proteste bllokuan punimet në Kuvend.

Ai tha se këta deputetë kanë si qëllim njohjen nga PS të Berishës si kryetar të PD-së.

“Protestojnë për Saliun. Ne nuk njohim asnjë prej tyre as Saliun. Këta të Lulit nuk kanë ardhur, këta të tjerët një pjesë kanë zënë sallën. Ata më kanë marrë vetëm kartën. Pa pushtet nuk ekzistojnë ata. Ata deputetë që janë aty brenda, siç është ajo Albana Vokshi, është e tmerrshme, ka hypur te karrigia e ministres dhe nuk ikën. Na kërkojnë ne që të njohim si kryetar të PD Sali Berishën. Nuk është kompetenca jonë. Po ju tregoj një mesazh të një deputeti të PD që thoshte që; pse nuk na njihni!

Po të them nëse doni drejtësi politike, atë e kemi pasur deri 1990, sot kemi një drejtësi që po e duartrokasim. Dje e kishin kreun e SPAK dhe e mbështetën e duartrokitën. Sa kohë kemi një prokurori speciale, nuk na duhet një prokurori politike si kjo këtu. Për sa kohë heton SPAK kujt i intereson a po heton Sali Berisha. Hetimi i Sali Berishës mbaron me dy raporte që nuk vlejnë asgjë, ai i SPAK mbaron me arrestime”, tha ai.

Kurse deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, tha se e gjithë skena është e porositur nga faktorë që janë kundër Kosovës. Në një intervistë për A2 CNN Koçi tha se kjo sjellje rrugaçërore, siç ai e quajti, heqin vëmendjen nga sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës.

“Qëndrimi mbahet jo me mënyrë rrugaçërore. Kjo është një situatë e porositur, po bëhet çdo përpjekje për të kaluar situatën nga Kosova, kjo është e pamundur sepse institucionet janë shumë të forta, është porositur nga ideja që duhen ndihmuar nga faktorët kundër Kosovës, unë mendoj që është një veprim tërësish kundër interesave shqiptare, interesi ynë është që vëmendja e ndërkombëtareve të jetë te Kosova, këto veprime e zhvendosin kamerën nga Kosova në Tiranë, kjo s’është protestë, por është dhunë, kjo e dëmton opozitën”, u shpreh Koçi.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Socialiste, Toni Gogu, tha se opozita duhet të zgjedhë rrugën e debatit dhe jo të dhunës. Gogu tha se nëse nuk i pëlqejnë qëndrimet e PS-së në Kuvend, opozita t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Opozita ka braktisur debatin parlamentar, ADN e kësaj force është dhuna, dhunë në parlament, dhunë brenda partisë së tyre, dhunë në rrugë, janë baballarët e dhunës. Kanë marrë kartat e deputetëve, ne mundim idetë me njëri-tjetrin, jo me ne, nuk kanë kuptuar thelbin e demokracisë, nuk mundet të bllokojnë Kuvendin, mundet të shkojnë në Gjykatë Kushtetuese nëse ato mendojnë se ne i kemi rrëzuar disa kërkesa pa të drejtë”, tha Gogu.

45 deputetë të Partisë Demokratike kanë kthyer përmbys disa nga karriget e ministrave në Kuvend dhe nuk kanë lejuar nisjen e seancës plenare. Opozita pretendon se zëri i tyre nuk dëgjohet, e ndërsa socialistët kanë nisur mbledhjen e firmave për përjashtimin e deputetëve. Për pasojë, seanca u shty.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë