Para

BQE rishikon pagën e stafit ndërsa rriten tensionet me sindikatat mbi inflacionin

Çështja e kufizimit të pagave, në një periudhë inflacioniste, ka arritur në radhët e Bankës Qendrore Europiane, e cila ka nisur një rishikim të pagave të stafit, që do të shqyrtojë propozimet për rritje gjysmë automatike të pagave, kur rriten çmimet.

Zyrtarët e sindikatës kërkuan rishikimin, pasi kundërshtuan shpërblimin e pagave të këtij viti, prej pak më shumë se 4% nga BQE, e cila në fakt shkaktoi një ulje reale të pagave, pasi inflacioni ishte mesatarisht 8.4% në Eurozonë vitin e kaluar.

Oferta e pagave ishte dyfishi i inflacionit të synuar të BQE-së dhe është në përputhje me rritjen e pagave në të gjithë Eurozonën.

Mosmarrëveshja e vendos BQE-në në një pozitë të vështirë, pasi ajo rriti normat e interesit për të shtatën herë radhazi javën e kaluar, në përpjekje për të zbutur rritjen më të madhe të inflacionit për një brez, ndërsa u bëri thirrje punëtorëve dhe punëdhënësve, që të mos i rrisin shumë pagat dhe çmimet.

Carlos Bowles, nënkryetar i sindikatës Ipso, që përfaqëson stafin e BQE-së, tha se po “kërkonte një qasje më të balancuar” për caktimin e pagave të stafit, si “ajo që ekziston në Komisionin Europian”.

Paga e punonjësve të BE-së u rrit me 6.9% këtë vit, ku një pjesë të rritjes të përcaktuar nga një mekanizëm rregullimi automatik, që është krijuar për të ruajtur fuqinë blerëse relative të nëpunësve civilë në të gjithë Europën. Rreth 2.5% e rritjes, ishte gjithashtu për shkak të një pagese të vonuar nga viti 2020.

Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, përsëriti paralajmërimin e saj të mëparshëm kundër një dinamike, ku punëtorët dhe punëdhënësit përpiqen të shmangin humbjet nga rritja e inflacionit, duke rritur pagat dhe çmimet.

Metodologjia aktuale e bankës qendrore për rregullimin e pagave të të gjithë stafit të saj, bazohet në dinamikën e pagave në bankat qendrore kombëtare të 20 vendeve të Eurozonës, Komisionin Europian, Bankën Europiane të Investimeve dhe Bankën për Marrëveshjet Ndërkombëtare.

Rritja e pagave ishte prej 4.07%, krahasuar me një rritje prej 1.48% një vit më parë, kur inflacioni i Eurozonës ishte 2.6%. BQE tha se qarkullimi i stafit ishte vetëm 1.3% vitin e kaluar, duke nënkuptuar se shumica e punonjësve nuk ishin shumë të pakënaqur.

Sindikata është në mosmarrëveshje me BQE-në, lidhur me pretendimet se banka qendrore nuk ka ndjekur saktë metodologjinë e saj ekzistuese. Ajo gjithashtu nisi një apel të brendshëm kundër llogaritjeve pas ofertës 2022, e cila u nënshkrua nga 373 punonjës. Bowles tha se apelimi ishte “hapi i parë, që hap rrugën për një çështje gjyqësore, të cilën ne do ta bëjmë me siguri”.

BQE tha: “Çdo tre vjet, një rishikim i rregullimit i përgjithshëm i pagave, mund të kërkohet nga një palë e interesuar. Vitin e kaluar, një sindikatë e njohur e kërkoi – kështu që, këtë vit po bëhet një rishikim. Vendimet për GSA merren nga këshilli drejtues i BQE-së.”

Rishikimi – i dyti në historinë e BQE – pritet të zgjasë përtej fundit të këtij viti, kohë në të cilën parashikon se, inflacioni vjetor do të ketë rënë nga 7% në prill në nën 3%, që do të thotë se çdo rritje pagash ka të ngjarë të jetë më e vogël, pavarësisht nga metodologjia e përdorur.

BQE tha: “Ndërsa ne respektojmë diversitetin e pikëpamjeve, Ipso nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjen e shumicës së stafit të BQE”.

Komisioni Europian tha se rregullimi i tij vjetor i pagave të stafit të BE-së, ishte “llogaritur nga Eurostat bazuar në evoluimin e fuqisë blerëse të nëpunësve civilë kombëtarë”.

Nëse inflacioni tejkalon një nivel të caktuar në Belgjikë dhe Luksemburg, komisioni mund t’i japë gjithashtu stafit të BE-së, një rritje pagash në mes të vitit, e cila është e prapambetur nga fillimi i vitit.

Burimi: Financial Times/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë