Trend

Botoksi po bën namin pasi njerëzit vunë re defektet në “Zoom”

Me izolimin për shkak të pandemisë, njerëzit u “lidhën” me Zoom ku kalonin orë duke punuar dhe komunikuar me të tjerë. Por pikërisht kjo periudhë ka shtuar kërkesat për të bërë botoks.

Mjekët estetikë në botë kanë raportuar një rritje të madhe të kërkesave për botoks (ose toksinë Botulinum) në klinikat e tyre. Sophie Shotter, themeluese e Illuminate Skin Clinic, një klinikë e njohur në Londër thotë se tani shumë njerëz po kërkojnë të bëjnë botoks.

"Unë kam pasur gjithmonë shumë kërkesa por tani kjo ka shkuar përtej kësaj. Shumë klientë kanë rezervuar dhe për pas një apo dy muajsh, pacientë që i kam pasur dhe pacientë të rinj”, tregon Shotter.

Numri i pacientëve të rinj me të cilët ekipi i saj konsultohet është trefishuar që nga Marsi i vitit 2020. E njëjta histori është dhe me mjekun estetik Michael Prager, i cili thotë se ka parë një “rritje të madhe të pacientëve që kërkojnë të bëjnë botoks”.

Çfarë qëndron pas bumit të Botoksit?

Ndërsa efekti Zoom është real (çka do të thotë që ne kurrë nuk i kemi kontrolluar dhe parë  më shumë fytyrat tona), ekspertët pajtohen se kërkesa për Botoks është shumë më tepër se kaq. Në vend që të nxiten nga të tjerët, shumë njerëz kanë përjetuar një ndryshim si në mënyrën se si e shohin veten dhe në mënyrën se si ndihen, dy gjëra që kanë qenë gjithmonë të ndërlidhura. Pas një viti të rrethuar nga emocione jo të mira dhe komplekse, një ndryshim  i tillë u pa si një mënyrë për të rregulluar humorin.

"Shumë njerëz kanë vuajtur jashtëzakonisht nga problemet psikologjike të lidhura me stresin për shkak të izolimit, i cili ka ndikuar në vetëvlerësimin", thotë Prager.

Prager thotë se ka shumë pacientë që për herë të parë kërkojnë botoks dhe trajtime të tjera në një përpjekje për të investuar në pamjen e tyre dhe të ndjehen më mirë me veten e tyre.

“Njerëzit duan të heqin rrudhat e shtuara këtë vit”, tregon Prager.

Rritja e interesit gjithashtu pasqyron takimet për të trajtuar problemet e lidhura me stresin, të tilla si dëmtimet e dhëmbëve dhe shtrëngimi i nofullës. Të dy, Shotter dhe Prager thonë se vendosja e toksinës në vijën e nofullës është një mënyrë e shkëlqyeshme për të lehtësuar simptomat e dhimbjeve të kokës ose tensionit të nofullës, të cilat mund të çojnë në dëmtime të dhëmbëve dhe probleme të tjera shëndetësore më afatgjata.

"Botox mund të lehtësojë këtë tension, si dhe simptomat e stresit kronik, ndërsa krijon një pamje të qetë në fytyrë", thotë Prager. Ky lloj trajtimi shkon përtej estetikës dhe mund të ndikojë vërtet në cilësinë e jetës së një klienti.

Shotter gjithashtu thotë se dhe zona e qafës është një zonë kryesore ku kanë ndërhyrë me botoksin.

"Ne mund të bëjmë shumë në zonën e qafës për të ndihmuar në përcaktimin e vijës së nofullës dhe shumë njerëz e kanë vërejtur këtë zonë falë Zoom”,thotë ajo.

A mundet Botoksi ti bëjë njerëzit më të lumtur?

Po. Një studim ka treguar se ata që kanë botoks, janë më të lumtur. Studimi tha se shprehjet e fytyrës (veçanërisht ato negative, si vrenjtja e fytyrës), mund të ndikojë në mënyrën se si ndihemi. Pra, nëse njerëzit mendojnë se thjesht nuk po ju qesh fytyra, kjo bën që të ndihen të mërzitur.

Një studim më i fundit nga Universiteti i Kalifornisë, në vitin 2020, mbështetur në atë studim zbuloi se atyre që u injektohet Botoks në gjashtë vende të ndryshme në fytyrën e tyre, përfshirë ballin, raportuan depresion më rrallë (40 deri 88 përqind më pak), sesa ata që provojnë trajtime të tjera për të njëjtën problem.

"Për vite, mjekët kanë vënë re se botoksi i injektuar për arsye kozmetike duket se lehtëson depresionin për pacientët e tyre", tha Ruben Abagyan, profesor në universitet.

Ndërsa nuk ka asnjë shpjegim të drejtpërdrejtë pse, akoma mendohet se botoksi një ditë mund të jetë i dobishëm në luftimin e depresionit.

"Pas një viti të vështirë si nga aspekti i pandemisë ashtu edhe nga aspekti personal, doja të ndihesha përsëri si versioni më i mirë i vetvetes", thotë Ally Lowe, e cila ka bërë botoksin.

Ajo tregon se e dinte se nuk i duhej një ndryshim drastik dhe këtë bëri, ngriti pak vetullën dhe “luftoi” vijat që shtoheshin.

“Me kaq ndërhyrje ndihesha shumë më e sigurt dhe, ç'është më e rëndësishmja, ende dukem tamam si vetja ime”, tregon Lowe.

Pavarësisht të gjithave, Botoksi është një zgjedhje personale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë