Katari nis provat për 2022-shin, duke pritur nga data 4 shkurt Botërorin e klubeve. Një kompeticion tërheqës, që krijon mundësinë për të parë edhe stadiumet, që pas më pak se dy vitesh do të presin Kupën e Botës.
Janë 6 skuadra, që luftojnë për trofeun, me Bajernin e Mynihut favorit absolut. Gjermanët ëndërrojnë të barazojnë rekordin e Barcelonës të vitit 2009, me 6 trofe të fituar në një vit kalendarik.
Botërori i klubeve në fakt ishte parashikuar për t’u zhvilluar në dhjetor të 2020-ës, por më 17 nëntor FIFA njoftoi se ky turne ishte shtyrë për në shkurt të 2021-shit, për shkak të pandemisë. Më 15 janar u bë me dije tërheqja e Okland Sitit nga kompeticioni për shkak të masave të marra në Zelandën e Re. Për këtë arsye, nuk do të jenë 7 (6 fitueset e kupave kontinentale, plus një skuadër e vendit pritës), por 6 skuadra pjesëmarrëse.
Bajerni fitoi Ligën e Kampionëve gushtin që shkoi, Palmeirasi sapo ka fituar Kupën Libertadores, Al-Ahli kampion i Afrikës, Ulsan Hyundai fitues i Championsit aziatik, Tigresi nga Amerika qendrore dhe Al-Duhail, kampion i Katarit, vendit organizator. Ky ekip ka fituar në tavolinë ndeshjen me Okland të tërhequr dhe më 4 shkurt do ndeshet me egjiptianët e Al-Ahli.
Ndeshja hapëse do të jetë ajo mes meksikanëve të Tigres dhe koreanëve të Ulsan Hyundai. Më 7 shkurt luhet gjysmëfinalja mes Palmeirasit dhe fituesit të kësaj sfide, ndërsa një ditë më pas Bajerni do ndeshet me fituesin e çiftit Al-Duhail-A-Ahli. Më 11 shkurt do të luhet fillimisht ndeshja për vendin e tretë dhe në mbrëmje finalja e madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.