Një proverb i hershëm latin thotë se “çdo të mbjellësh, do të korrësh”. Donald Trump korri në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara pikërisht atë që kishte mbjellë vetë për vite me radhë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka kritikuar shpesh paraardhësin e tij, Barack Obama për politikat e jashtme.
“Ne na duhet një President pas shpinës së të cilit nuk na qesh bota”, cicëronte Donald Trump në vitin 2014.
Nëse për Obamën deklaronte se po e “përqeshte” bota pas shpine, atë vetë “bota” e qeshi përballë dhe pikërisht në fjalimin e mbajtur para udhëheqësve dhe diplomatëve të mbledhur në Nju Jork për punimet e zakonshme të Asamblesë së OKB-së.
Të qeshurat shpërthyen pas mburrjeve të Donald Trump, që edhe në një forum global udhëheqësish politikë foli për arritjet e administratës së vet.
“Sot jam këtu para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për t’u njohur me progresin e jashtëzakonshëm që ne kemi bërë. Në më pak se dy vite, administrata ime ka arritur më shumë se çdo administratë tjetër në historinë e vendit tonë dhe kjo është e vërtetë”, nisi ai fjalimin e vet.
"Today I stand before the United Nations General Assembly to share the extraordinary progress we’ve made. In less than two years, my administration has accomplished more than almost any administration in the history of our country,” Trump says as he begins his speech at #UNGA pic.twitter.com/hM6YH0h60k
— CNN Politics (@CNNPolitics) September 25, 2018
Salla shpërtheu në të qeshura, të cilat Trump nuk i priste. “Nuk e prisja këtë reagim, por s’prish punë!”, vazhdoi Trump, duke mveshur edhe vetë një buzëqeshje dukshëm sikletosëse.
Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të diskutohen një sërë çështjesh globale, kryesisht për sigurinë dhe tregtinë. Në të dyja këto fusha, Donald Trump është kritikuar brenda dhe jashtë SHBA për qëndrimet e tij.
Sa i përket sigurisë, ai u është kundërvënë edhe aleatëve europianë në NATO, por edhe duke sfiduar një qëndrim të hershëm të Uashingtonit e duke njohur Jeruzalemin si kryqytet të Izraelit.
Për tregtinë “armiqtë” që e rrethojnë nga të gjitha anët, duke nisur që nga Meksika e Kanadaja, me të cilat nisi rishikimin e tregtisë së lirë, e deri tek Kina dhe Bashkimi Europian, që po i sfidon me tarifimin e mallrave kyçe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.