Lajme

Bota e rrjeteve sociale do të ndryshojë, zotimi i Mark Zuckerberg

“Privatësi, privatësi, privatësi!”. Kjo ishte kryefjala e fjalimit të Mark Zuckerberg në konferencën vjetore F8. Themeluesi i Facebook njoftoi një sërë ndryshimesh në portofolin e rrjeteve sociale që zotëron, përfshirë këtu edhe në Whats App dhe Instagram.

Ndryshimet interpretohen nga ekspertët si një reagim i drejtpërdrejtë, megjithëse disi i vonuar, i kritikave mbi mënyrën sesi këto tre rrjete sociale mbrojnë të dhënat personale të përdoruesve të tyre. Zuckerberg thotë se privatësia do të jetë e para për të rifituar besimin e përdoruesve.

Bosi i rrjeteve sociale foli me detaje për ndryshimet që do të pasojnë. Pjesa dërrmuese e ndryshimeve synojnë të përforcojnë privatësinë, ndërsa një pjesë tjetër janë estetike.

Së pari, mesazhet që do të dërgohen përmes Messenger do të përdorin automatikisht kodimin fundor (end-to-end encryption), që do të thotë se as vetë Facebook nuk do të jetë në gjendje që të kontrollojë përmbajtjen e tyre. Një tjetër risi është edhe integrimi i plotë i Messenger me Whats App.

Së dyti, Instagrami po teston “llogaritë private të pëlqimeve”, një shtojcë që fsheh “like” e një postimi për përdoruesit e tjerë, përveç zotëruesit të llogarisë.

Së treti, regjistrimi i përhershëm i përmbajtjes së mesazheve private të përdoruesve do të hiqet. Ato do të transferohen si gjurmë në serverat e rrjeteve sociale të Zuckerberg.

Së katërti, një shërbim për kryerjen e pagesave të ndryshme online përmes Whats App dhe i testuar për sigurinë në Indi, do të ofrohet gradualisht edhe në vendet e tjera.

Së pesti, aplikacioni i Facebook do të ridimensionohet duke u dhënë përparësi grupeve të komunitetit, që do të shfaqen tek burimi i lajmeve (newsfeed) dhe shenja verifikuese blu për një grup a faqe do të hiqet. Në SHBA ka nisur ky proces dhe më vonë gjatë këtij viti pritet të përhapet edhe në pjesën tjetër të globit.

Së gjashti, postimet në Instagram jo domosdoshmërisht do të nisin me një foto në të ardhmen. Ndryshimet do të bëjnë të mundur shpërndarjen e një postimi vetëm me tekst, vizatime, apo emoticons, falë opsionin “Krijo” që do të shtohet tek “Camera Mode”.

Mark Zuckerberg u zotua se synimi është përforcimi i privatësisë dhe kodimi fundor i çdo qelize të një llogarie në të gjitha infrastrukturën e rrjeteve sociale që ka. “Kjo nuk mund të ndodhë sa hap e mbyll sytë, por që të jemi të qartë, drejtë këtij synimi do të shkojmë”, deklaroi ai.

Një tjetër ndryshim, që ekspertët e vlerësojnë si “kopjim” nga aplikacioni për takime “Tinder”, është “Secret Crush”, shtojcë që do t’i bashkangjitet “Facebook Dating”. Përmes kësaj shtojce, Facebook do t’u mundësojë një pjese të përdoruesve në disa vende që të bëjnë tag nëntë miq më tërheqës të tyre. Nëse njëri, apo disa prej këtyre miqve do të bëjnë të njëjtën gjë, atëherë ata do të njoftohen se kanë një “takim”.

Facebook Dating mundësohet aktualisht vetëm në 14 shtete, përfshirë Filipinet, Vietnamin dhe Singaporin, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Europë nuk është hedhur ende në treg.

Një tjetër risi ishte edhe versioni i përmirësuar i realitetit virtual, Oculus Quest. Pajisja e Facebook nuk kërkon lidhje fizike me një kompjuter apo telefon për të funksionuar, por lidhjet me to përmes teknologjisë Wifi.

Të gjitha këto premtime e risi nuk shmangën kritikat. Ekspertët e qortojnë Zuckerberg për mefshtësi dhe mungesë vullneti në trajtimin e problematikave të privatësisë dhe shprehen skeptikë për zotimin e tij për kodimin fundor të të gjithë infrastrukturës së rrjeteve të tij sociale. Aktualisht, ky kodim ofrohet vetëm tek mesazhet në Whats App.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë