Futboll

“Boshatiset” Superiorja, largohen edhe Telushi e Muça

Përtej bojkotit të kampionatit nga klubet për shkak të përplasjeve me qeverinë për disa pika thelbësore në futboll, skuadrat kanë vazhduar përgatitjet për sezonin e ri. Stafet teknike këtë herë kanë hasur vështirësi në merkato, sepse klubet janë në vështirësi financiare, ndërsa disa prej tyre e kanë të bllokuar merkaton.

Një situatë aspak favorizuese, pasojat e së cilës janë ndjerë menjëherë: lojtarë me peshë të kampionatit janë larguar nga Superiorja drejt kampionateve të tjera. Kjo “rrjedhje” me siguri do të reflektohet në nivelin e kampionatit elitar shqiptar, kur ai të fillojë.

Telushi me fanellën e Kukësit në ndeshjen ndaj Volfsburgut. Gazeta Si, 27 shtator 2020

Të larguarit e fundit janë Bruno Telushi dhe Gentian Muça, dy lojtarë të spikatur dhe me shumë përvojë. Vlonjati ka lënë Kukësin për të shkuar në Azerbajxhan, kurse Muça ka zyrtarizuar largimin nga Tirana dhe me shumë mundësi do të shkojë te Prishtina në Kosovë. Për Kukësin krijohet një problem i madh, duke ditur që më parë janë larguar Rroca dhe Abazaj, të dy në Turqi, por edhe Shkurtaj e Et’hemi. Shumë largime në të njëjtën kohë, që e kanë vënë në siklet trajnerin Skënder Gega.

I paritur ishte largimi i Muçës nga Tirana, një lojtar shumë i lidhur me këtë klub. Ai pritet t’i bashkohet Prishtinës, ku më parë kanë shkuar Sabien Lilaj dhe Gledi Mici, të cilët nuk u kthyen në Shqipëri, pasi klubet tona e kishin të pamudur t’u përgjigjeshin kërkesave të tyre financiare. I njëjti diskutim edhe për Bruno Ditën, që kaloi te Shkëndija e Tetovës. Në një kampionat të huaj pritet të kalojë edhe Dejvi Bregu.

Muça në stërvitje me Tiranën. Gazeta Si, 27 shtator 2020

Superiorja ka humbur shumë cilësi dhe kampionati i ri, duke shtuar edhe bojkotin, që do të thotë ngjeshje ndeshjesh gjatë tij, premton shumë pak për një garë interesante.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë