Para

Borxhi i jashtëm bruto i Shqipërisë arrin në 9.9 mld euro. Investimet e huaja direkte vijojnë rritjen

Nga Gazeta ‘SI’-  Borxhi i jashtëm bruto i Shqipërisë, (BJB)për tremujorin e tretë 2022, arriti në vlerën e 9.9 mld eurove. Në raport vjetor rritja llogaritet pothuajse 10%, dhe në tremujorë 0.3%.

Rritje ka pësuar borxhi i jashtëm i bankave tregtare, i bankës qendrore dhe i sektorëve të tjerë, ndërsa ai i qeverisë ka pësuar rënie krahasuar me tremujorin e mëparshëm, sipas shifrave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Kjo është vlera më e lartë e borxhit të jashtëm bruto që kur BSH ka nisur publikimin në 2008-n.

Paralelisht me BJB-në, Banka ka publikuar dhe shifrat e investimeve të huaja direkte (IHD) në vend, që vijuan rritjen edhe në tremujorin e tretë të vitit, duke kapur vlerën e 344 mln eurove. Në raport vjetor, rritja është 32%, ndërsa në raport tremujorësh, me 2%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, fusha me më shumë IHD ishte ajo e hidrokarbureve, aktiviteteve financiare dhe energjia, sektorëve që duken tërheqëse për investime për situatën ku ndodhen vendet europiane tani.

Më herët gjatë muajit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko tha se rritja e IHD-ve në vend bashkë me turizmin, kanë rritur qarkullimin e euros në tregun shqiptar dhe kanë mbiçmuar lekun, duke kontrolluar dhe inflacionin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë