Ekonomi

Eksportet dhe të ardhurat përmirësuan aftësinë paguese të borxhit të jashtëm të Shqipërisë

Nga Gazeta 'SI' - Aftësia paguese afatgjatë të borxhit të jashtëm të Shqipërisë, është përmirësuar gjatë gjysmës së parë të vitit 2022, një trend i nisur që vitin e kaluar. Rritja e shpejtë e eksporteve dhe të ardhurave fiskale ka qenë faktori kryesor në këtë ecuri, sipas BSH-së.  Kështu, raporti ndërmjet borxhit të jashtëm bruto dhe eksportit vjetor të mallrave dhe shërbimeve vlerësohet në nivelin 137.1%, nga niveli 182% një vit më parë.

Stoku i borxhit të jashtëm bruto u rrit me pothuajse 13% në fund të gjashtëmujorit të parë 2022, por pesha e tij ndaj PBB-së u ul me 1.7 pikë përqindje, me 59.1% ndaj Produktit Bruto. Por kjo, sipas Bankës së Shqipërisë, rënia lidhet me rritjen nominale të PBB-së dhe rritja e borxhit lidhet me emetimin e Eurobondit në fund të vitit 2021, 650 mln euro.

Në  ndarjen  sipas  maturitetit,  borxhi  afatgjatë  përbën  rreth  91%  të  totalit,  ndërsa  borxhi  afatshkurtër rreth 9.02%. Si rrjedhojë, pesha e huasë afatshkurtër është pakësuar ndjeshëm, dhe është rritur pesha e instrumentit afatgjatë, Eurobondi 10-vjeçar.

Gjithashtu, raporti i borxhit të jashtëm ndaj të ardhurave fiskale u pakësua në 214.4% nga 223.4% një vit më parë. Raporti i stokut të borxhit të qeverisë së përgjithshme ndaj të ardhurave fiskale u ul në 105.0% nga 109.6% një vit më parë.

Edhe treguesit e mjaftueshmërisë së likuiditetit shfaqin tendenca përmirësuese. Stoku i rezervës valutore mbulon 299%  të borxhit  të jashtëm afatshkurtër në fund të tremujorit të dytë 2022, duke dëshmuar për mjaftueshmëri në përballimin e detyrimeve afatshkurtra.

Qeveria mbetet sektori me peshën më të madhe në totalin e stokut të borxhit të jashtëm, me rreth 49% të tij. Stoku përkatës u rrit me 16% në terma vjetorë. Pjesa tjetër e stokut të borxhit është shpërndarë midis: korporatave depozituese (përjashtuar bankën qendrore) 16%,  sektorëve të tjerë të ekonomisë 15.5%, IHD-ve (huatë ndërkompani) 17.2% dhe autoritetit monetar 2.3%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë