Para

A duhet shqiptarët të falënderojnë ‘çunat’ që po mbajnë inflacionin e ulët

Nga Gazeta 'SI' - Ngjarjet dinamike në tregjet europiane në gjysmën e parë të vitit 2022, goditën euron duke e pozicionuar atë në në raportin 1:1 me dollarin.

Inflacioni dhe hezitimi i Bankës Europiane për të rritur normat bazë të interesit, dobësuan më tej euron kundrejt monedhave të tjerë, përfshirë atë shqiptare.

 Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, e përmendi  dobësimin e euros si faktor të rëndësishëm në mbajtjen e inflacionit vendas në rendin e njëshifror ndryshe nga vendet e rajonit dhe BE-së. Në takimin e fundit që pati me homologun austriak, guvernatori i tha medias se “Përballë faktorëve lokalë, pak më larg tregut të gjerë të euros, mbiçmimi i lekut ka ndodhur për tre arsye kryesore- rritja e eksporteve, rritja e investimeve të huaja direkte dhe turizmi.”

Në gjashtëmujorin e parë 2022, eksportet arritën vlerën e 2.2 mld euro, me rritje 43% në raport vjetor ose rreth 700 mln euro. Si efekt, rritja e eksporteve në vlerë, forcon monedhën vendase dhe e bën atë më rezistente ndaj presionit të monedhave të importit, në këtë rast euro.

Investimet e  Huaja Direkte (IHD-të), për të njëjtën periudhë raportohen në vlerën e 10.3 mld eurove totali, me rritje 787 mln euro. Nga ky zë në një 1 –vit  fluksi i euros është shtuar me 16%.

Për të njëjtën periudhë, turizmi, solli në ekonominë shqiptare, 277 mln euro, me rritje 17.2% në raport vjetor, duke kapur vlerën e 1.1 mld eurove në total.

Zyrtarisht, sipas treguesve të përmendur nga vetë drejtuesi i bankës qendrore, për periudhën janar-qershor, në Shqipëri kanë hyrë pothuajse 1.8 mld euro më shumë, se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Por a mjafton kaq euro shtesë në treg për të  mbajtur këtë kurs të këmbimit të lekut apo një tjetër burim ilegal është kthyer në furnitor me peshë?!

Për të njëjtën periudhë, por pa përfshirë maj-qershor (shifrat publike deri në prill), jashtë sistemit bankar në vend janë 3.2 mld euro, rreth 1.4 mld euro më shumë se ato të ardhura nga faktorët që sipas BSH-së, kanë mbiçmuar monedhën lek.

Deri në qershor 2022, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë katër herë në tregun valutor duke blerë në total, 47.3 mln euro.

Më herët për të njëjtën çështje, Guvernatori Sejko, ka përmendur se si faktor në mbiçmimin e lekut edhe euron informale. Në vitin 2018, ai do të thoshte se në vend qarkullojnë 4.3 mld euro, përfshirë atë informale, por duke thënë se nuk ka shifra të tjera që ndajnë tregun.

Hyrjet e euros së zezë në Shqipëri janë reflektuar gjithmonë në kursin e këmbimit. Në 2019-n,  BSh pranoi dhe tregoi se euro ishte zhvlerësuar 6% kundrejt lekut për shkak edhe të monedhës europiane që vinte nga aktivitete jo legale. Këtë herë, Sejko tha se ajo është zhvlerësuar vetëm 2.5%, ndonëse kursi është më i ulët se tre vite më parë.

Sa pa dal shifrat e fundit zyrtare ende nuk mund të kuptojmë peshën e faktorit “para e zezë” në mbajtjen e inflacionit të ulët, megjithëse është e sigurt se ajo është në treg dhe afërsisht kanë një peshë të kosiderueshme siç na e sugjerojnë edhe shifrat e lartpërmendura.

E thënë ndryshe nëse do të zeronim teorikisht paranë informale, pyetja është; A është e  mundur që vetëm nga këto tre faktorë që deri tani i kanë dhënë tregut rreth 1.8 mld euro më shumë, leku mund të qëndrojë të të njëjtat kuota këmbimi apo do të zhvlerësohej duke sjellë rritje tjetër të çmimit të mallrave dhe shërbimeve?

Nëse jo atëherë është koha që shqiptarët me më pak të ardhura, duhet t’i dërgojnë për momentin një falenderim çunave që kanë futur eurot ilegale në treg.

Por vetëm për momentin, sepse të mbash ekonominë nga të ardhurat ilegale është katastrofë e sigurt në të ardhmen. 

Qendra kërkimore në Shqipëri, Altax, i shpjegon kështu pasojat:

"Në thelb, furnizimi me para ndikon direkt në treg, pasi prish rrjedhën aktuale të furnizimit përmes burimeve financiare që i vijnë tregut nga rritja aktuale ekonomike dhe njësoj si ato lumenjtë e rrëmbyer edhe pse janë të nevojshëm me prurjet e tyre, në fakt prishin edhe infrastrukturën në të cilën kalojnë. Nga ana tjetër, normat e shpenzimeve rriten për shkak të rrjedhës së pakontrolluar dhe të shpejtë të parave në vend. Ndër disa efekte që konsiderohen si pozitive  janë ato që ndikojnë në rritje më të mëdha të vlerave të eksporteve dhe importeve, krahas inflacionit edhe më të lartë. Në këtë hyrje të parasë së pistë duhet vigjilencë maksimale nga Banka e Shqipërisë që me kundërmasat e saj në rritjen e normave të interesit të ndikojë në treg për të përballuar fluksin e stërmadh monetar. Politika monetare do të ndikohet negativisht nga këto kërkesa të ndryshme për para, e shkaktuar nga paraja e zezë".

Në fund të ditës, janë konsumatorët ata që gjenden përballë çmimeve të larta, ofertave kaotike dhe një klimë biznesi me konkurrencë të prishur, e shkaktuar nga paqëndrueshmëria e kursit të këmbimit në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë