Futboll

Borusia Dortmund, hyrje gratis në stadium për të vaksinuarit

Borusia e Dortmundit, që së fundi ka shprehur interes edhe për portierin e Kombëtares kuqezi, Tomas Strakosha, po kalon një moment të vështirë. Skuadra ka nevojë për tifozët dhe klubi ka menduar të japë një sinjal. Drejtuesit e Borusias janë gati të ftojnë në stadium mjekët dhe infermierët që janë vaksinuar tashmë.

Portat janë hapur. Borusia kërkon të bëjë një kompromis. Për një klub si ky, i mësuar me rreth 80 mijë tifozë në stadium, pandemia ka bërë dëme të mëdha. Mesatarisht, klubi gjerman arkëtonte rreth 4 milionë euro për ndeshje. Dhe jo vetëm kaq, me mbylljen e stadiumeve, skuadra ka humbur energjinë që i transmetonte i famshi “muri i verdhë”, tifozët ultras të njohur në gjithë botën.

Stadiumi i Borusia Dortmund kohët e fundit. Gazeta Si, 9 shkurt 2021

Këtë sezon Borusia Dortmund ka humbur 3 ndeshje në shtëpi nga 9 të luajtura në total. Për këtë arsye klubi ka menduar që të krijojë pak atmosferë, duke hedhur idenë për të pritur gratis në stadium ata që kanë bërë vaksinën anti-Covid. Nga fillimi i sezonit deri në tetor, stadiumet në Gjermani qëndruan të hapur, edhe pse klubet mund t’i mbushnin në një përqindje të vogël, në bazë të kurbës së infektimeve sipas rajoneve.

Më 3 tetor, për ndeshjen Borusia Dortmund-Frajburg, klubi vendës priti 11.500 tifozë. Pak, në krahasim me 80 mijë të zakonshmit, por ishte një rekord sezonal. Nuk është rastësi që në atë ndeshje skuadra regjistroi fitoren më të thellë, 4-0. Administratori i deleguar i Borusias, Vatzke, ka bërë me dije se janë të ftuar në stadium mjekët dhe infermierët e vaksinuar, të cilët mund të shohin ndeshjet gratis.

Ekonomikisht situata nuk do të ndryshonte për Borusian, por të paktën do të fillonte të krijohej atmosferë. "Po ankohemi të gjithë se si Koronavirusi e ka ndryshuar jetën tonë, por ata që çdo ditë kanë rrezikuar shëndetin e tyre, duke përballuar kushte të vështira, janë vërtet heronj, - ka shpjeguar Vatzke. – Për ne do të ishte një nder të ftonim këta persona në stadiumin tonë". Dhe do të ishte një hap drejt normalitetit, një hap drejt dyerve të hapura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë