Kosova

Borrell thotë se do të bisedojë së bashku me Osmanin dhe Vuçiçin në Granada

Nga Gazeta 'Si' - Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrell, tha të enjten se do të ulet “së bashku” me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të biseduar gjatë samitit të BE-së në Granada të Spanjës.

I pyetur nëse ka takim të caktuar mes Osmanit dhe Vuçiçit, Borrell tha se “takimet bëhen për t’i ulur tensionet. Presidentja Osmani do të jetë këtu dhe po ashtu presidenti Vuçiç. Në Kishinjev, ne u ulëm së bashku, biseduam për këtë, dhe sot do ta bëjmë të njëjtën gjë. Por, gjendja është shumë më e keqe sot sesa në kohën e Kishinjevës.”

Më herët gjatë ditës, Osmani tha se nuk ka arsye për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç para se ndaj tij të vendosen sanksione për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Më herët gjatë ditës ka pasur pritje nga liderët evropianë që Osmani dhe Vuçiç të mund të takohen në margjina të këtij takimi.

“Nuk ka arsye të takohemi para se të vendosen sanksione drejt Vuçiçit. Sanksione në fillim, e më pas mund të flasim për më shumë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se shpreson që edhe Spanja – e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës – të bashkohet në sanksione kundër Serbisë.

Një një takim të mbajtur më 3 tetor në Parlamentin Evropian, disa eurodeputetë kanë kërkuar vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë për shkak të sulmit në Banjskë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë