Ne rrjet

Boris Johnson zyrtarisht gënjeshtar

Parlamenti e pranon me shumicë dërrmuese raportin mbi gënjeshtrat "Partygate" të ish-kryeministrit Johnson.

Është vetëm një akt simbolik me pak pasoja të drejtpërdrejta, por mesazhi është gjithsesi i qartë: anëtarët e Parlamentit Britanik kanë miratuar një raport të brendshëm, në të cilin thuhet se ish-kryeministri Boris Johnson gënjeu Parlamentin për festat që mbaheshin në rezidencën e tij zyrtare gjatë mbylljes së jetës publike për shkak të virusit të Coronas. Johnsoni e parashikoi pezullimin 90-ditor të rekomanduar nga Parlamenti, dhe e la mandatin e deputetit pak ditë më parë.

Me këtë votim, Dhoma e Komunave megjithatë i hoqi atij pasaportën parlamentare, të cilën zakonisht kanë të drejtë ta mbajnë ish-deputetët. Një vit më parë, konservatori Johnson dha dorëheqjen si kryeministër pas aferës "Partygate”.

Para votimit, deputetët debatuan nëse janë dakord me gjetjet e komisionit parlamentar dhe nëse i mbështesin sanksionet e propozuara. Në fund, vetëm shtatë deputetë nga partia konservatore e Johnson-it votuan kundër vendimit, nga 118 pro. Shumica e 352 deputetëve të Grupit Konservator abstenuan - duke përfshirë shumicën e anëtarëve të lartë të kabinetit. Gjithsej 354 deputetë votuan pro.

Momenti kur shpallet në Parlament rezultati i raportit të Johnson 'Partygate'

Kritika për pasardhësin e Johnsonit, Rishi Sunak
Kryeministri Rishi Sunak nuk mori pjesë në votim, gjë që opozita e interpretoi si "dobësi” nga ana e tij. "Nëse kryeministri nuk është i aftë të tregojë as lidership kur bëhet fjalë për të kërkuar llogari nga gënjeshtarët, si mund të presë që qytetarët e këtij vendi t'i besojnë atij diçka tjetër”, tha deputeti laburist Thangam Debbonaire. Nënkryetarja e Grupit Liberal-Demokrat, Daisy Cooper kritikoi: "Sunaku premtoi integritet, por kur situata u bë e vështirë, ai ishte shumë i dobët për të treguar fytyrën e tij." Sunaku refuzoi publikisht të angazhohej për një vendim dhe kërkoi falje për të, duke thënë se nuk donte të ndikonte në votim.

Boris Johnsoni e pati kritikuar raportin e "Partygate” dhe fyer anëtarët e komisionit, që morën pjesë në të. Sipas sondazheve, ish-kryeministri mbetet më popullor se mbajtësi aktual i postit, Sunak, në radhët e Partisë Konservatore në Britani. Shumë anëtarë konservatorë e shohin Johnson-in si luftëtar të talentuar elektoral, pa të cilin partia nuk do të kishte asnjë shans në zgjedhjet legjislative të planifikuara për 2024.

Kryeministri Rishi Sunak nuk mori pjesë në votim

A po planifikon Johnson një rikthim?
Kryeministri Sunak tani duhet të shpresojë se votimi do t'i japë fund debatit të gjatë për "Partygate". Por Johnson-i tashmë e ka bërë të qartë se nuk e konsideron të përfunduar karrierën e tij politike. "Winston Churchill u bë kryeministër vetëm në moshën 65-vjeçare”, u ka thënë ai personave të besuar, sipas informacioneve të gazetës "Sunday Times”, duke iu referuar modelit të tij të madh. Ka spekulime se Johnson-i mund të përpiqet të zgjidhet në një zonë tjetër zgjedhore për vitin 2024 - kundër dëshirës së Sunak-ut. Nëse do të zgjidhej më pas në parlament, ai do të rimerrte edhe pasaportën e tij parlamentare.

Fillimisht, ish-kryeministri pritet të ngacmojë gjithsesi kreun e qeverisë britanike me ndërhyrje të zhurmshme nga jashtë. Menjëherë pas tërheqjes së tij nga parlamenti, tabloidi konservator 'Daily Mail' njoftoi se Johnsoni tani do të angazhohet si komentator. /DW


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë