Ne rrjet

Boris Johnson në kurs përplasjeje me mediat, gazetarët bojkotojnë Kryeministrin

Vendimi i zyrës së medias të Boris Johnson për të përjashtuar nga pjesëmarrja një grup gazetarësh kritikë në një takim të thirrur prej kryeministrit britanik ka shkaktuar një efekt zinxhir dhe bojkot nga gazetarët e tjerë të mediave më të mëdha në Mbretërinë e Bashkuara.

Gazetarët e “SkyNews”, “The Telegraph”, “The Sun”, “The Guardian”, “Financial Times”, “DailyMail” e madje edhe të BBC kanë bojkotuar takimin pas përplasjes që raportohet se ka ndodhur brenda selisë së Kryeministrisë britanike, pasi një prej këshilltarëve të Boris Johnson u përpoq të largojë gazetarët e “The Mirror”, “HuffPost” dhe “The Independent”.

Gazetarët dhe mediat më të zëshme britanike e kanë vlerësuar këtë taktike dhe sjellje të Johnson me mediat si kopje e metodës së përdorur nga Presidenti i i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që vazhdimisht përpiqet që të përjashtojë nga takimet e tij gazetarët që raportojnë kundër tij dhe vendimeve që ai merr.

BBC thotë se zyra e komunikimit me median e Boris Johnson u ka ndaluar të gjithë zyrtarëve të lartë të Qeverisë që të marrin pjesë në programin ‘Today’ në BBC Radio 4, ndërsa vetë Kryeministri nuk është shfaqur në asnjë studio të televizioneve kritike me të që pas zgjedhjeve.

Përplasja mes Johnson me mediat private mund të marrë shpejt një zgjidhje, por ajo që bëhet përplasja më komplekse është mes BBC, që është rrjet transmetimi i financuar nga buxheti i shtetit.

Për të zbutur efektin që mund të ketë në audiencë bojkoti i mediave më të mëdha në Britani, Boris Johnson ka shpallur së fundmi një nismë në rrjetet sociale, të pagëzuar me emrin “Komunikim me Kryeministrin”, ku u përgjigjet pyetjeve të publikut. Por, kritikët thonë se në këtë rubrikë të tij në rrjetet sociale, pyetjet janë të fabrikuara nga njerëz të stafit të tij, ose të seleksionuara më parë nga pyetjet e ndjekësve të tij në internet.

Një tjetër notë proteste e mediave kryesore në Britaninë e Madhe ishte edhe mënyra sesi Johnson iu drejtua popullit në mesazhin pas realizimit të Brexit më 31 janar. Mesazhi ishte regjistruar dhe filmuar nga zyra e shtypit e kryeministrit britanik dhe në të nuk ndodhej kamera e asnjë televizioni, apo rrjeti informimi tjetër. Më pas i njëjti mesazh iu shpërnda të gjitha mediave në Londër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë