Politike

Borchardt: Plotësoni KQZ-në, ka ende kohë për reformën

Reforma zgjedhore dhe mungesa e dy anëtarëve të opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë dy nga shqetësimet kryesore të ndërkombëtarëve. Ambasadorët po apelojnë që reforma zgjedhore të realizohet dhe se kjo duhet të ndërmerret 6 muaj përpara zgjedhjeve.

Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt foli për situatën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar respektimin e përcaktimeve kushtetuese. “KQZ aktualisht është me pesë anëtarë. Kemi pasur edhe zgjedhje të mëparshme KQZ ka pasur 4 anëtarë, ndërsa tani janë pesë anëtarë. Thënë kjo, kjo situatë është sigurisht për të ardhur keq. Kjo do të thotë që nuk përdoren të gjitha të drejtat kushtetuese dhe ligjore”, deklaroi ambasadori i OSBE-së.


Vëmendja e ambasadorit është fokusuar edhe te reforma zgjedhore. Sipas tij, ka ende kohë për ta përmbyllur këtë proces, në mënyrë që në zgjedhjet e 30 qershorit të shkohet me në Kod Zgjedhor të amenduar me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës.
“Fillimi i punës nga KQZ-ja nuk do të thotë se reforma zgjedhore ka marrë fund. Ajo ende mund të miratohet. U gëzova shumë kur dëgjova nga kryetari i Partisë Demokratike që Partia Demokratike do të vazhdojë të marrë pjesë në komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore. Megjithatë, koha po ikën. Disa çështje mund të rregullohen në një fazë disi të vonë, por çështje të tjera si depolitizimi i komisioneve zgjedhore apo çështje që shkojnë përtej rekomandimeve të OSBE/ODIHR-t, si për shembull votimi elektronik dhe teknologjitë e reja të votimit në përgjithësi, kanë nevojë për kohë në mënyrë që të bëhen përgatitjet, të trajnohen njerëzit dhe të informohen zgjedhësit. Sa u takon këtyre çështjeve, jemi që tani shumë vonë.,” u shpreh Ambasadori.   


Ndërkohë që edhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca ka kërkuar mbylljen e reformës zgjedhore nga ana e partive politike, si një nga kushtet e KE-së për avancimin e procesit të integrimit në BE.
“Zgjedhjet vendore janë shumë të rëndësishme, sepse në këto zgjedhje qytetarët zgjedhin ata që do merren me problemet e tyre. BE pret që të ketë një reformë zgjedhore ashtu si është rekomanduar nga OSBE/ODIHR. Reforma është me rëndësi që të kryhet 6 muaj para datës së zgjedhjeve. Puna që është bërë deri më tani për reformën zgjedhore është e mirë, por duhet të përfundojë. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme dhe BE e konsideron prioritet”, tha një ditë më parë ambasadori Soreca.
Partia Demokratike nuk ka pranuar të paraqesë dy kandidatët për anëtarë të KQZ-së. Ndërsa aktualisht ky institucion po funksion dhe me 5 anëtarë. Katër prej tyre janë përfaqësues të mazhorancës Denar Biba, Bledar Skënderi, Edlira Jorgaqi dhe Rezarta Bitri. Ndërsa kryekomisoneri Klement Zguri është i vetmi anëtar i djathtë në këtë institucion. Socialistët votuan disa javë më parë në seancë dy anëtarët e rinj të KQZ-së, si propozime të mazhorancës, Skënderin dhe Bitrin.

Ndërsa PD-ja ka kontestuar këtë mënyrë përzgjedhjeje nga ana e PS-së, pasi pretendon se duhet t’i kishte ajo dy mandatet e përfunduara nga anëtarët e saj Hysen Osmanaj dhe Vera Shtejfni, ndërsa tani manovra e socialistëve do t’i përplasë me aleatin politik, LSI-në, partia e cila kërkon edhe ajo që të ketë anëtarin e saj.
Ndërkohë KQZ-ja edhe pse me pesë anëtarë, një numër i mjaftueshëm për të marrë vendime, ka miratuar planin e veprimit për zgjedhjet e ardhshme lokale të 30 qershorit, pavarësisht se reforma zgjedhore në Parlament ka mbetur pezull.
Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, pas miratimit të këtij Planit, i kërkoi partive politike që të bashkëpunojë me këtë proces, pasi me Kodin Zgjedhor aktual partitë politike kanë të drejtën që të propozojnë anëtarët e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta, si dhe të atyre që do të realizojnë numërimin e votave.

Kreu i KQZ-së, Klement Zguri


“Por sfida përballohet me sukses, kur të gjithë bëhemi të vetëdijshëm se zgjedhjet nuk janë çështje vetëm e institucioneve dhe nuk varen vetëm nga fati i reformës zgjedhore. Sfida e zgjedhjeve do të përballohet me sukses, kur partitë politike pjesëmarrëse në to, veçanërisht partitë që ligji i ngarkon me përgjegjësi administrimi do të kuptojnë dhe pranojnë se detyrimet e tyre ligjore në raport me administrimin nuk janë opsione, nuk formojnë privilegj dhe as avantazh. Partneriteti me KQZ-në dhe bashkëpunimi vullnetmirë në administrimin e procesit është detyrim thelbësor si për KQZ-në, ashtu dhe për partitë që marrin pjesë në administrimin e procesit, është parakusht i suksesit. Për këtë arsye kam dalë sot të kërkoj publikisht vëmendjen e partive politike në respektimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe ligjeve të tjera në fuqi, në përmbushje të rolit të tyre të rëndësishëm në mbarëvajtjen dhe mirë administrimin e procesit zgjedhor”, deklaroi kryekomisionieri Zguri.

 

Më Shumë