Ka ndodhur

Bora dhe akulli mbërthejnë juglindjen dhe verilindjen

Këtë të premte, vendi ynë është përfshirë nga reshje dëbore në shumë zona, kryesisht qytetet juglindore dhe verilindore të vendit janë zgjuar nga petku i bardhë i dëborës.

Në qytetin juglindor të Korçës, trashësia e dëborës ka arritur deri në 5-10 cm në qytet dhe në zonat malore deri 15-20 cm. Nga sa raportohet nuk ka problem në qarkullim në akset kryesore. Kompanitë e mirëmbajtjes po vijojnë punën për mirëmëbajtjen e rrugëve.

Korçë

Ndërkohë, në aksin kryesor Qafë Thanë-Kapshticë kalueshmëria është normale, por rekomandohet me zinxhir. Janë hapur akset rrugore Libonik-Sheqeras-Orman-Rembec-Pojan-Zvezde-Golloberdë-Potgorie-qyteti Maliqit. Për në fshatin e Dardhës qarkullimi është i detyrueshëm me zinxhirë dhe i vështirë për shkak të akullit në rrugë.

Mësohet se kanë pasur problem me energjinë në Sheqeras, Sovjan e zonën e Gorës.

Ndërkohë, bora dhe ngricat kanë “pushtuar” edhe Dibrën.

Dibër

Po ashtu edhe Pogradeci ofron një pamje fantastike në këtë ditë të ftohtë janari.    

Pogradec

Ndërkohë është mbuluar nga dëbora edhe Stebleva e Librazhdit.

Librazhd

ARRSH në njoftimin e saj për mediat thotë se kontraktorët kanë “bërë shpërndarjen e kripës dhe pastrimin e të gjitha akseve, si në: Dedaj-Razëm-Bogë, Qafë Mali-Fierzë, Kuben Vasije, Tammare-Shkodër, Burrel-Klos-Peshkopi, Kukë-Has, Përrenjas-Kapshticë, ku qarkullimi vazhdon normalisht”.

Nga ana tjetër mësohet se në akset Korçë-Qafë Qarri, Korçë-Dardhë, në pjesën fundore të aksit Krujë-Sarisalltik me gjatësi prej 2 km rekomandohen goma dimërore dhe përdoruesit e mjeteve të pajisen me zinxhirë gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit për shkak të ngricave. Vazhdon puna me mjete borë pastruese.

Ndërsa në akset e Dajtit, Qafë Priskë-Qafë Mollë rekomandohet kalimi me zinxhirë, pasi ka prezencë të ngricave në disa vende.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë