Futboll

“Boom” shitjesh jashtë vendit, ja që dhe futbolli shqiptar prodhon

Nga Lorenc Trashi në Kuvajt e Sherif Kallaku në Kroaci, tek i fundit, Valon Et’hemi, në Poloni. Lëvizje të shumta lojtarët nga kampionati shqiptar drejt Europës. Ndoshta asnjëherë më parë nuk ka pasur kaq shumë futbollistë që kanë kaluar nga skuadrat shqiptare në kampionate të huaja brenda një kohe të shkurtër. Ja që edhe futbolli ynë prodhon dhe klubet tashmë e dinë mirë se si mund të pasurohen.

Valon E’themi është shitja e fundit nga kampionati ynë. Lojtari 22-vjeçar i Kukësit ka kaluar vizitat mjekësore te klubi polak i Zaglebie Lubin, ku ka firmosur një kontratë 2-vjeçare. Nga kjo lëvizje, klubi i Kukësit përfiton rreth 60 mijë euro që i takojnë për formimin e lojtarit. Valon E’themi është shembulli më i mirë se si puna dhe këmbëngulja shpërblehen. Ai erdhi nga Maqedonia e Veriut në vendin tonë për të luajtur me Mamurrasin në nivelin inferior, për t’u pikasur nga Kukësi, ku luajti 3 vjet dhe tashmë kalon në Poloni.

Sherfi Kallaku do luajë në Kroaci, te Lokomotiva e e Zagrebit. Gazeta Si, 5 gusht 2020

Sherif Kallaku, një nga lojtarët më të talentuar të kampionatit shqiptar, pjesë edhe e Kombëtares U-21, kalon në Kroaci, te Lokomotiva e Zagrebit, duke sjellë në arkën e Teutës rreth 150 mijë euro. Mesfushori kalon në ekipin, ku ka shumë shqiptarë dhe mendohet se Lokomotiva të jetë një trampolinë edhe për të, ashtu siç ndodhi me Myrto Uzunin, i cili pak kohë më parë kaloi në Hungari, duke i sjellë ta ardhura të tjera Laçit, që ka mbajtur një pjesë të kartonin të tij.

Agon Elezi, talenti 19-vjeçar i Skënderbeut, kalon në Portugali, te Boavista. Gazeta Si, 5 gusht 2020

Për të kaluar te Skënderbeu, një klub i mësuar tashmë me shitjen e lojtarëve. Edhe pse në vështirësi për shkak të dënimit nga UEFA, sërish klubi korçar arrin të mbahet dhe të bëjë shitje të bujshme. E tillë është ajo e Agon Elezit, 19-vjeçarit që spikati sezonin e fundit dhe që do të kalojë në kampionatin portugez, te Boavista. Një lojtar mjaft i talentuar që i ka bindur portugezët të paguajnë mbi 400 mijë euro te Skënderbeu për shërbimet e Elezit. Mesfushori me nënshtetësi maqedonase dhe shqiptare duket një investim i sigurt. Një tjetër lojtar i Skënderbeut drejt shitjes është edhe mbrojtësi Jorgo Pëllumbi, i cili pritet të kalojë në Austri, te Shturmi, ku aktivizohet aktualisht sulmuesi i Kombëtares, Bekim Balaj.

Lorenc Trashi me fanellën e Partizanit. Ai ka firmosur në Kuvajt. Gazeta Si, 5 gusht 2020

Pak muaj më parë Partizani shiti Lorenc Trashin në Kuvajt, duke fituar rreth 250 mijë dollarë. Trashi ka firmosur për 5 vjet me skuadrën e Al Qadsia dhe pritet të përfitojë gati 1 milionë dollarë nga kjo kontratë “faraonike”. Albi Doka është një tjetër element i talentuar i futbollit shqiptar. Ai ka dalë nga shkolla e Tiranës dhe pasi fitoi titullin kampion, do të luajë në Kroaci, ku ka firmosur për HNK Gorica, por klubi kryeqytetas nuk ka fituar asgjë në këtë rast, pasi mbrojtësi largohet me parametra zero.

Ka edhe shumë të tjerë të rinj nga kampionati ynë që presin të bëjnë hapin e madh. Apolonia ka disa talente, por edhe skuadrat e tjera. Tashmë modeli është i qartë: duke punuar mirë me të rinjtë, klubet mund të shesin lojtarë dhe të shndërrohen në një biznes rentabël. Futbolli ynë prodhon, nuk ka asnjë diskutim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë