Futboll

Bonuçi i surprizon të gjithë, shkon në Gjermani

Gazeta Si – Futbollisti italian, pas prishjes së marrëdhënieve me Juventusin, është në kërkim të klubi të ri dhe Gjermania duket si destinacioni më i mundshëm.

Leonardo Bonuçi-Union Berlin. Po, mund të bëhet. Lojtari do të largohet nga Juventusi dhe po sheh mundësi të ndryshme, por sipas Fabricio Romano ai është shumë afër firmës me skuadrën gjermane. Vendimi përfundimtar i takon lojtarit, klubi në fjalë është gati ta përballojë pagën e tij.

Leonardo Bonuçi përshëndet tifozët juventinë. Gazeta Si, 22 gusht 2023

Në Itali për Bonuçin ka pasur interesim nga Lacio, që më pas duket se u tërhoq dhe tashmë për mbrojtësin me eksperiencë mund të nisë një aventurë jashtë Serisë A, që do të ishte e para në karrierë.

Historisë me Juventusin i ka ardhur fundi pas 502 ndeshjesh dhe 35 golash. Nuk është një ndarje e ëmbël në fakt. Bonuçi është lanë jashtë skuadre, i është komunikuar se është jashtë projektit dhe se duhet të gjejë një klub të ri.

Mbrojtësi kërkoi zyrtarisht riintegrimin, që iu mohua nga klubi. Në këtë situatë ka ndërhyrë edhe Shoqata e Futbollistëve, që me anë të presidentit Umberto Kalkanjo ka mbajtur këtë qëndrim: "Është nëpërkëmbur dinjiteti i Bonuçit me vendime ilegjitime: duhet të riintegrohet menjëherë."

Kontrata e lojtarit me Juventusin skadon në 2024-ën. Largimi i tij do të lehtësonte arkat e klubit bardhezi, që sipas ‘Calcio e Finanza’ është lojtari i tretë më i paguar, pas Vlahoviçit dhe Kiezës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë