Lajme

“Bum” lejesh ndërtimi para 30 qershorit, INSTAT: 15 % më shumë se 2018

Në tremujorin e dytë të 2019-ës, që përkojnë me tre muajt para zgjedhjeve të 30 qershorit, lejet e ndërtimit të dhëna nga bashkitë në shkallë vendi u rritën me thuajse 15 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Instituti i Statistikave publikoi shifrat, sipas të cilave rritja më e fortë e lejeve të dhëna ka ndodhur në Qarkun e Durrësit. Nga data 1 prill deri më 30 qershor, në këtë qark janë dhënë plot 55 leje ndërtimi, ose më shumë se dyfishi i 26 lejeve të dhëna për të tremujorin e parë të këtij viti.

Pjesa dërrmuese e lejeve është dhënë nga Bashkia e Durrësit. Qarku i dytë me rritje të lejeve të dhëna është ai i Tiranës. Në këtë qark janë dhënë plot 111 leje për ndërtesa të reja, që ndahen në ndërtime për banim, ndërtesa të reja jorezidente dhe punime inxhinierike. Diferenca është 12 leje më shumë se tremujori i dytë i 2018-ës. Pjesën më të madhe të lejeve të dhëna e ka Bashkia e Tiranës. Për Qarkun e Tiranës mungojnë të dhënat për Bashkinë e Kamzës.

Ndërkohë, të ndara në kategori sipas llojit të lejes së dhënë, Instat thotë se 194 nga 310 lejet e dhëna janë për banesa. Nga 194 lejet, 136 janë leje për ndërtesa me tre ose më shumë kate. Lejet për ndërtesa jorezidente janë 116, të ndara kryesisht në fabrika, hotele dhe dyqane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë