Mengjesi

Bojkoti në Kuvend, a mundet opozita të humbasë mandatet

Fotografi ilustruese, Kryeministri, Edi Rama, duke folur gjate nje seance, ku duken vendet e opozitës bosh, dhjetor 2018

Deputetët e opozitës që kanë bojkotuar Kuvendin rrezikojnë t’iu digjen mandatet nëse brenda këtij muaji nuk rikthehen në sallën e Parlamentit.

Pjesa më e madhe e tyre ka qenë në Kuvend për herë të fundit në seancën e 19 korrikut. Deri tani bëhet fjalë për 27 deputetë, nga të dyja partitë kryesore të opozitës, PD dhe LSI, të cilët nuk kanë marrë pjesë as në seanca plenare dhe as në komisione, përfshirë këtu edhe Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin.

Më gjatë prej të gjithëve mungon nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka, i cili ka braktisur aktivitetin parlamentar që prej datës 5 korrik, ndërsa kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili figuron për herë të fundit në një mbledhje të Komisionit të Çështjeve Sociale, më 16 korrik.

Të gjithë këta deputetë rrezikojnë të humbasin mandatin nëse nuk kthehen në Parlament brenda dhjetorit, pasi seanca e parë e 2019-s nuk mund të mbahet me Kushtetutë më shpejt sesa e hëna e tretë e janarit, pra më 21 janar.

Dy deputetët e LSI-së, Lefter Koka e Vangjel Tavo, thyen urdhrin e partisë, duke u kthhyer në Parlament për të mos iu djegur mandati që rrezikonte t’u skadonte.

Por pavarësisht nga bojkoti masiv, 19 ligjvënës të opozitës nuk rrezikojnë mandatin e tyre, pasi kanë marrë pjesë në mbledhje byroje apo komisione parlamentare.

Megjithatë, opozita e ka një “shans”! Parlamenti pritet të zhvillojë një seancë brenda dhjetorit ku do të vendoset për nismën kushtetuese të opozitës për “vettingun në politikë”.

Kjo do t’iu lejojë PD-së dhe LSI-së që të kthehet për të votuar nismën e tyre, duke rinovuar me 6 muaj mandatet dhe pagat, pa hequr dorë nga ajo që e quajnë “marrëdhënie të kushtëzuar” me Parlamentin.

Pavarësisht nga sinjalet për një rikthim, PD-LSI janë në limitet e afatit ligjor. Deri tani kanë kaluar 5 muaj nga nisja e bojkotit pasi llogariten edhe ditët e pushimit, përfshirë këtu edhe muajin gusht nga ku nis numërimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë