Me futbollin të ngrirë prej disa javësh, Liga Profesioniste ka bërë lëvizjen e radhës, duke i dorëzuar deputetit Fidel Ylli një dosje me informacion të plotë në lidhje me 4 kërkesat, siç kishte kërkuar përfaqësuesi i qeverisë në negociata. Në njoftimin zyrtar të Ligës theksohet se fokusi është te ligji për sponsorizimet, që ky institucion e konsideron të domosdoshëm për sportin.
“Liga Profesioniste e Futbollit bën me dije se në vijim të takimit të 21 shtatorit i ka përcjellë dje z.Fidel Ylli një informacion të plotë në mbështetje të kërkesave që Liga i ka drejtuar Kryeministrit Rama në letrën e datës 10 gusht 2020. Materiali i përgatitur nga një grup ekspertësh fokusohet te ligji për sponsorizimet, si një akt ligjor i domosdoshëm për zhvillimin e sportit në Shqipëri, mbi bazën e standardeve dhe praktikave europiane.
Propozimet e paraqitura nga Liga mbështesin qartësisht idetë dhe rrugëzgjidhjet për një hop cilësor në drejtim të administrimit, formalizimit dhe fuqizimit të sporteve në tërësi, jo vetëm të futbollit”, – shkruhet në njoftimin e Ligës Profesioniste për lëvizjen e saj të fundit. Plotësohet kështu porosia e deputetit Fidel Ylli në takimin e fundit mes palëve dhe tashmë pritet qëndrimi i qeverisë, edhe pse Ministrja e Financave, Anila Denaj, la pak shpresa për plotësimin e 4 kërkesave të Ligës.

Për momentin nuk është përmendur asnjë datë zyrtare për nisjen e mundshme të kampionatit, por nën zë flitet se topi do të fillojë të rrotullohet fundjavën e ardhshme. Lëvizjet e palëve aktualisht janë shumë të ngadalta, me vonesa burokratike. Liga vazhdon të thotë se bojkoti do të vazhdojë derisa të plotësohen 4 kërkesat, ndërsa qeveria bën apel për nisjen e aktiviteteve dhe për zgjidhjen e ngërçit gradualisht. Të paktën dy nga kërkesat e Ligës, heqja e tatimit të futbollistëve për 10 vjet dhe falja e gjobave dhe kamatave, duken të parealizueshme për qeverinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.