Politike

Bojkoti i opozitës, Mediu: Të reflektojmë

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu kërkoi që koalicioni opozitar t’i nënshtrohet një analize të thellë dhe të qartë në lidhje me aksionin politik që ka ndërmarrë prej kohësh, përfshirë këtu edhe qasjen ndaj Parlamentit.

“Ka ardhur koha të bëjmë një analizë të qartë të veprimit dhe të mosveprimit dhe të qasjes parlamentare, marrëdhënieve me qytetarët dhe ndërkombëtarët. Gjithashtu duhet një sistem votimi i hapur për të rigjalluar opozitën”, deklaroi Mediu këtë të dielë.

Kreu i PR-së foli edhe për protestën e banorëve të Unazës së Re. Ai kërkoi nga qeveria që banorët të dëmshpërblehen të gjithë, pasi sipas tij kryeministri Edi Rama jo vetëm ua premtoi, por edhe shpronësimi po bëhet mbi një pronë publike.

“Pse protesta e tyre është e drejtë? Sepse Rama ka premtuar legalizmin e banesave e bizneseve në çdo zonë informale. Së treti, këto legalizme janë kryer në prona publike ndaj është e pamoralshme që të mos legalizohen. Së katërti, shteti ka marrë përsipër legalizimet e mirëfillta për përfitime politike. Përfundimisht në mendimin tim qeveria duhet të shpronësojë këta banorë në vlerat e tregut”, tha ai.

Deklarata e kryetarit të PR-së u bë pas kthimit nga pjesëmarrja në punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Mediu tha se në këto takime ngriti tek ndërkombëtarët shqetësimin se Shqipëria sot nuk ka një Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë.

“Shumë shpejt mund të përfundojmë edhe pa Gjykatën e Apelit dhe është shkelur disa herë Kushtetuta dhe askujt nuk i bën përshtypje. Partia Socialiste ka dalë me parullën që më mirë mos të kemi gjykata sesa të korruptuara, unë them më mirë mos të kemi fare qeveri sesa të korruptuar”, vijoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë