Opozita e nisi javën e dytë politike të shtatorit me qëndrimin e konfirmuar që në javën e parë. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë vendosur që të vazhdojnë bojkotin e Parlamentit dhe “kuvendin” e vërtetë ta bëjnë me qytetarët.
Dy partitë kryesore të opozitës do të mblidhen ditën e enjte jo në sallën e seancave plenare të Kuvendit, por në qytetin e Durrësit, për të denoncuar, siç thonë drejtuesit e dy partive, lidhjet e qeverisë me krimin dhe bandat, si dhe pasigurinë në vend.
Partia Demokratike ka ngritur katër grupe pune për platformën dhe strategjinë e saj politike. Grupet e punës përbëhen nga deputetë me përvojë dhe në fusha të ndryshme, por edhe ekspertë. Në thelb të punës së tyre do të jetë edhe nisma për vettingun e politikës.
Aksioni opozitar u përshkallëzua këtë të hënë. PD dhe LSI bojkotuan edhe punimet e komisioneve parlamentare dhe për to tashmë parësore është nisma e njoftuar nga Elbasani e Lulzim Bashës për vettingun e politikës.
Këtë nismë, por edhe qëndrimet e tjera të Partisë Demokratike dhe opozitës, Lulzim Basha i ka pjesë të diskutimeve në Gjermani, ku siç njoftohet nga Selia Blu, ka udhëtuar këtë të hënë për disa takime të rëndësishme.
Thelbi i nismës së PD-së është që të gjithë zyrtarët që nga kryeministri, ministrat, deputetët dhe zyrtarët që zgjidhen nga Parlamenti do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit sipas tre shtyllave të vettingut në drejtësi, pra pasurisë, integriteti moral dhe aftësisë profesionale.
Kryeministri Edi Rama e ka mirëpritur këtë nismë, por emëruesi i përbashkët i gjithë reagimeve të mazhorancës është interpretimi i kësaj nisme të opozitës si përpjekje për të dubluar vettingun e vërtetë; atë të drejtësisë dhe vetë reformën në drejtësi. Sipas mazhorancës, “vettingun” e politikës do ta bëjnë institucionet e reja që do të ngrihen, si Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Pikërisht për reformën në drejtësi foli edhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.
“Do jetë një sesion i ngjeshur parlamentar. Kemi shume projektligje të rëndësishme. Mes tyre paketa me 27 ligjet e dyta të reformës në drejtësi. Ndryshime në kodin penal. Komisioni do vazhdojë rolin e tij kontrollues dhe nuk do ngelet jashtë vëmendjes funksioni zgjedhës që ka komisioni”, tha ai.
Zbardhet drafti i PD, lista e zyrtarëve nën Vetting dhe si shkarkohen
Të gjithë zyrtarët që nga kryeministri, ministrat, deputetët dhe zyrtarët që zgjidhen nga Parlamenti do ti nënshtrohen procesit të Vettingu. Ky është thelbi i nismës së PD-së së depozituar në Kuvend, nga deputetët e PD-së, të LSI-së dhe të partive aleate.
Ndërkohë që nisma, e ngjashme me procesin e Vettingut të gjyqtarëve parashikon efekte prapravepruese, pra largim të të gjithë persona që kanë lidhje me krimin. “Mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj, që është fituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar”, thuhet në këtë propozim.
“Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, kryetari i bashkisë dhe çdo drejtues ose anëtar i institucioneve kushtetuese dhe ligjore që emërohen në detyrë me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, i nënshtrohen procesit të kontrollit të pastërtisë së figurës”, thuhet në propozimin e nismës së PD-së, që parashikon ndërhyrjen në Kushtetutën e Shqipërisë.
Sipas draftit parashikohet që të zgjedhurit duhet të dorëzojnë një deklaratë dhe i nënshtrohen një kontrolli të figurës, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.
“Kontrolli i figurës për lidhje me personat e përfshirë në krimin e organizuar bazohet në deklaratën për figurën dhe prova të tjera, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja. Deklarata mund të përdoret si provë vetëm në këtë proces dhe në asnjë rast gjatë një procesi penal. Nëse subjekti i përmendur në pikën 1 ka kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën”, thuhet në amendamentin që propozohet të ndërhyhet në nenin 176 të Kushtetutës.
Ndërsa në pikën 4 të këtij propozimi përcaktohet se nëse politikani, zyrtari nuk e dorëzon në kohë deklaratën për figurën, apo përpiqet të bëjë deklarime të pasaktë, ose të fshehë kontaktet me persona të përfshirë në krimin e organizuar, zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.
Pasuria
Një pikë e veçantë është edhe ajo verifikimit të pasurisë së zyrtarëve, ministrave, deputetëve. Ajo që përcaktohet është se nëse rezultojnë se pasuria e tyre ka probleme, atëherë ata do të shkarkohen menjëherë, duke iu ndërprerë mandati.
“Kur subjekti i përmendur në pikën 1, nuk justifikon ligjshmërinë e pasurisë sipas vendimit të organit përgjegjës kushtetues, zbatohet masa e ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra. Kushtet, rregullat dhe organet përgjegjëse për zbatimin e mekanizimit të garantimit të integritetit të figurës së funksionarit publik, përcaktohen me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në amendamentin e propozuar.
Nisma nuk ka të përcaktuar rrugët se si cili institucion apo kush do të jetë mekanzimi i kontrollit dhe se kujt do t’i besohet ky kontroll. Por i lihet Kuvendit që të përcaktojë modalitetet e kryerjes së këtij kontrolli
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.