Politike

Katër orë tension. Bojë mbi Kryeministrinë, dhunë dhe gaz lotsjellës te Parlamenti

Megjithëse protesta e tretë kombëtare e thirrur nga ana e opozitës zhvillohej në orët e pasdites, bulevardi qendror i Tiranës para Kryeministrisë u zgjua nën masa të përforcuara sigurie. Godina ishte rrethuar me një gardh hekuri, ndërkohë që gjatë ditës Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës u dhanë dorën e fundit përgatitjeve për të garantuar sigurinë e ndërtesës.

Në përpjekje për të maksimizuar pjesëmarrjen në këtë protestë, në orët para tubimit udhëheqësit e opozitës, sidomos Lulzim Basha dhe Sali Berisha lëshuan disa deklarata përmes rrjeteve sociale ku shpjegonin, sipas tyre, arsyet se përse duhej protestuar për të larguar Edi Ramën.

Partia Demokratike kishte dorëzuar në Policinë e Shtetit kërkesën për zhvillimin e protestës. Ora e nisjes ishte shënuar 18:00, ndërsa ora e përfundimit ishte lënë bosh. Nisur nga kjo e dhënë, policia dhe garda përforcuan masat e sigurisë dhe nxitur edhe nga fakti që tubimi zhvillohej në orët e mbrëmjes, ku errësira vështirëson misionin e sigurisë numri i efektivëve të Policisë së Shtetit ishte më i lartë se herët e tjera.

Bëhej fjalë për 1500 efektivë policie, përveç punonjësve të Gardës. Burime nga Policia e Shtetit thanë për gazetën “Si” se ishte siguruar një informacion se protestuesit mund të hidhnin koktejle me molotov në drejtim të Kryeministrisë. Për t’i paraprirë këtij skenari, thanë burimet, brenda ambienteve të Kryeministrisë, veç Gardës së Republikës ishin vendosur edhe forcat zjarrfikëse.

Protestuesit e parë që mbërritën nga rrethet u mblodhën në oborrin e Partisë Demokratike. Këtu organizatorët i kishin paraprirë motit të keq me reshje shiu dhe nisi shpërndarja e cadrave me mbishkrimet “Rama ik”.

Ora 18:00 gjeti para Kryeministrisë një grup të vogël protestuesish, që prisnin t’u bashkohej pjesa tjetër e vendosur në selinë e PD-së së bashku me drejtuesit e opozitës. Rreth orës 18:30 Lulzim Basha marshoi me mbështetësit e tij në drejtim të Kryeministrisë. Marshimi u shoqërua me shashka plasëse, tymuese, slogane anti Ramës dhe zhurmën e vuvuzelave. Shenjat e para të përplasjes u dhanë. Protestuesit hodhën në drejtim të Kryeministrisë domate dhe bojë të zezë.

Mesazhet e përcjella para protestuesve nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi shprehnin vendosmërinë e opozitës për t’i qëndruar bindjes së saj se Edi Rama duhet të largohet. Vec kësaj, Basha u ktheu një përgjigje të tërthortë asaj që njihet si “linja e ashpër” e mbështetësve demokratë, që i druhen një 17 maji të dytë me Ramën.

“Nuk do ketë më pazare të radhës, tani e them me zërin tim në emër të të gjithë opozitës dhe partive të koalicionit, nga LSI-ja e deri tek partia e fundit. Nuk do ketë pazare politike e marrëveshje tavolinash. Kushti i vetëm është qeveria tranzitore pa Edi Ramën”, deklaroi ai.

LIVE

LIVE – Ne luftojmë për një kauzë të drejtë, për një qeveri të çliruar nga krimi, për zgjedhje të lira, rend dhe siguri. Klika e krimit e bërë njësh me qeverinë që kemi përballë do të shembet nga themelet! #ShqiperiaSiEuropa

Gepostet von Lulzim Basha am Samstag, 13. April 2019

“Nuk ka më kthim, ka vetëm një drejtim! Shqipërisë do t’i kthehet legjitimiteti. Djegia e mandateve ishte interes publik, për t’u thënë shqiptarëve që janë ata që duhet të marrin fatin e tyre në dorë”, përforcoi Kryemadhi.

Nuk u desh shumë kohë dhe tensionet në distancë mes protestuesve dhe policisë u shndërruan në përplasje fizike. Protestuesit canë lehtësisht gardhin metalik, ndërkohë që kordoni policor u përforcua tek shkallët e godinës, duke i ndaluar ata.

Përpjekja e protestuesve vazhdoi më e përforcuar dhe e vendosur dhe edhe kordoni policor ra. Protestuesit mbërritën para derës kryesore të Kryeministrisë, por sikur të prisnin urdhrin e radhës nuk u përpoqën që të hyjnë brenda godinës.

Urdhri i radhës mbërriti nga Edi Paloka, që në këtë moment merr mikrofonin dhe mes tymit të flakadanëve dhe zhurmës së kapsollave fton protestuesit që të marshojnë drejt Parlamentit, duke i kursyer Gardës përdorimin e gazit lotsjellës.

Me Lulzim Bashën në krye dhe me drejtuesit e tjerë të opozitës, turma iu drejtua Parlamentit përmes bulevardeve “Zhan D’Ark” dhe “Bajram Curri”. Pak minuta u deshën që edhe para Kuvendit të niste dhuna. Policia ishte në numër efektivësh më e paktë në këtë pjesë, ndaj kordonet e saj ranë me lehtësi nga ana e protestuesve.

Në këtë moment hidhet gazi lotsjellës dhe protestuesit shpërndahen me shpejtësi në drejtime të ndryshme. Gjatë shpërndarjes, një pjesë e madhe u fut tek qendra tregtare “Toptani”, që ndodhet pranë Kuvendit. Në këtë pjesë nuk munguan përplasjet, kur një grup protestuesish thyejnë xhamat e një biznesi.

Vetë Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe Sali Berisha u larguan në drejtim të Rrugës së Elbasanit për t’iu shmangur gazit lotsjellës. I pyetur nga mediat se si do të vazhdonte protesta, Basha tha se protestën e ka marrë në dorë populli.

Këtu nisi skenari që është parë në të gjitha protestat e këtij lloji të opozitës. Me të ikur efektet e gazit lotsjellës, protestuesit afroheshin sërish në drejtim të lulishtes së Kuvendit. Sapo turma masivizohej dhe konsiderohej nga ana e policisë se cenonte sigurinë, Garda hidhte gazin lotsjellës.

E në mes të kësaj loje “macja me miun”, Sali Berisha deklaronte se Tirana ishte kryeqyteti botëror i protestave dhe se Edi Rama nuk kishte ‘vrimë miu’ që të shpëtonte. Berisha tha se protestonte si qytetar dhe nuk mund të jepte një parashikim si mund të vazhdojë protesta, e po ashtu edhe Monika Kryemadhi tha gjithashtu se ishte një qytetare në këtë protestë e se nuk dinte gjë më shumë.

Basha, Kryemadhi e Berisha akuzonin policinë e gardën për hedhjen e gazit lotsjellës. “Gazi u hodh në një moment krejtësisht të qetë të protestës, kur Lulzim Basha dhe drejtuesit e tjerë të opozitës po flisnin për mediat. Hedhja e gazit detyroi ndërprerjen e intervistës”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë nga PD.

Megjithëse askush prej udhëheqësve të opozitës nuk e dinte se kur do të mbyllesj protesta, pas katër orësh Lulzim Basha me mbështetësit e tij u rikthye në oborrin e PD, aty ku nisi gjithçka, duke përsëritur kërkesën për largimin e Edi Ramës.

Edi Rama dhe Sandër Lleshaj nga ana tjetër akuzonin organizatorët e protestës për dhunë ndaj policisë.

“Solidaritet me çdo punonjës policie që në ditë si kjo, duhet të përballet me ekseset fizike të një politike të dëshpëruar, pa kokë, pa drejtim, pa të nesërme! Keqardhje për policët e plagosur nga goditjet qorre të dy partive të verbuara, që marshojnë në rrugën e vetëshkatërrimit”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Përmes rrjeteve sociale reagoi edhe Taulant Balla. Ai gjen vetëm një arsye për protestën e opozitës, bllokimin e hapjes së negociatave.

 

Më Shumë