Futboll

Boban rikthehet në botën e futbollit, Ceferin i beson një rol special në UEFA

Përfundojnë pushimet për Zvonimir Boban. Kroati kthehet në botën e futbollit dhe e bën këtë gjë nga dera kryesore. Javën e ardhshme do të zyrtarizohet detyra që UEFA i ka propozuar: “Chief of Football”, një rol operativ pranë presidentit Aleksander Ceferin.

Lajmi i publikuar së pari nga “La Repubblica” është konfirmuar dhe kështu Boban do të lërë pas krahëve aventurën si drejtues i Milanit. Kujtojmë që Gjykata e shkallës së parë ka vendosur në favor të tij për një dëmshpërblim nga klubi kuqezi, për shkak të shkarkimit në pranverën e 2020-ës. Boban kthehet të japë kontributin e tij në botën e futbollit, me të cilën është mjaft i lidhur.

Zvonimir Boban, 52 vjec. Gazeta Si, 16 prill 2021

Edhe më parë kroati ka pasur një detyrë prestigjioze në politikën e futbollit, duke qenë krahu i djathtë i Xhani Infantinos në FIFA. Si zëvendëssekretar, ai ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të futjes së VAR-it në futboll.

Dhe pikërisht video-asistenca arbitrale do të jetë pjesë e detyrave që do t’i besohen ish-mesfushorit nga Ceferin. Boban do të kujdeset gjithashtu për raportet mes ligave dhe klubeve, duke parë kalendarët për të harmonizuar sa më mirë të jetë e mundur impenjimet e kampionateve me ato të kupave. Shefi i sektorit të futbollit ishte një pozicion i pambuluar aktualisht në Nion dhe tani e tutje do të mendojë Zvonimir Boban.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë