Futboll

Boban kundër shtesave të gjata: Janë të dëmshme, futbolli nuk është i Kolinës!

Gazeta Si – Përgjegjësi i sektorit të futbollit të UEFA-s sulmon direkt presidentin e komisionit arbitral të FIFA-s, ish-arbitrin e njohur italian, Pierluixhi Kolina.

"Futbolli nuk është i Kolinës", - thotë Zvonimir Boban gjatë një interviste për spanjollen ‘Marca’. Punonjësi i UEFA-s sulmon punonjësin e FIFA-s, duke marrë shkas nga shtesat e gjata që u aplikuan në ndeshjet e Botërorit dhe që tani po aplikohen edhe nga disa kampionate, La Liga mbi të gjitha.

Për Boban, këto shtesa janë të dëmshme: "Po luhet shumë, kalendari është një çmenduri. Lojtarët janë shumë të lodhur, ndërkohë që kërkohet të shtohen më shumë minuta në momentin më të vështirë të ndeshjes. Kur luan në nivel profesionist, 30 minutat e fundit janë më të vështirat.

Për ata nuk ka rëndësi fare kjo pjesë dhe është një çmenduri. Rregullat e futbollit nuk bëhen kështu. Kanë vendosur t’i ndryshojnë pa u konsultuar me lojtarët dhe konfederatat. Futbolli nuk është i Kolinës, as i FIFA-s dhe as i UEFA-s. U përket atyre që e duan".

Boban, në emër të UEFA-s, mban qëndrim ndaj zgjedhjeve të FIFA-s: "Ne në kompeticionet tona nuk do të ndjekim këto direktiva, janë anti-futboll, janë kundër logjikës së futbollit modern dhe shëndetit të futbollistëve. Tani flitet për 12 minuta shtesë dhe harrojnë se në pjesën e parë janë dhënë 6 apo 8 minuta. Nuk ka sens në nivelin futbollistik.

E njoh Kolinën prej më shumë se 30 vitesh dhe bashkëpunimi ynë në FIFA ka qenë mjaft produktiv. Por, për të vazhduar të kontribuojë për zhvillimin e lojës sonë duhet të lërë mënjanë egon e tij".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë