Politike

BMI Research: Akuzat e opozitës nuk kërcënojnë Qeverinë

Business Monitor International Research, një kompani që bën ekspertizën makroekonomike, industriale dhe financiare për mbi 200 vende të botës, në analizën e radhës të publikuar për Shqipërinë flet me tone pozitive.

Kjo kompani thotë se ekonomia shqiptare po ecën me ritme më të mira nga sa ishte parashikuar, duke përfituar kryesisht nga situata pozitive e ekonomisë globale.

Duke u ndalur në pjesën politike, BMI Research analizon konfliktin e thellë që ka ndarë palët prej muajsh në Tiranë.

“Akuzat se drejtues të lartë të partisë në pushtet janë të përfshirë në trafikun e drogës tregojnë edhe njëherë se sa jetike është për Shqipërinë reforma në drejtësi”, thotë raporti.

Megjithatë, ekspertët e BMI Research e vlerësojnë të qëndrueshme qeverinë në Tiranë dhe në skenarin më të keq flasin për dobësim të mazhorancës, por jo rënie të saj.

Akuzat e opozitës “shpërfillen” nga ekspertët e BMI Research në raport.

“Nëse akuzat provohen, mazhoranca mund të reduktohet dhe Kryeministri Edi Rama të humbasë besueshmërinë e tij”, thuhet aty.

BMI Research është pjesë e grupit FITCH dhe njihet ndërkombëtarisht për analizat e saj në fushën ekonomiko-financiare dhe ndikimit të politikës dhe faktorëve të tjerë në to.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë