Është dilema e çdo udhëtari: Si të bësh pushime të vërteta kur, të qenit me pushime është puna që bën? Kiersten Rich, krijuesja e ‘The Blonde Abroad’, e ka shpjeguar dilemën duke zbuluar madje edhe të vërtetat në prapaskenë. “Shpresoj të pushoj muajt e tjerë të vitit; ky është qëllimi im”, ka thënë ajo. “Më duket se kemi rezervuar diçka në dhjetor. Kështu ndodh zakonisht”.
Ndërkohë, Liz Carlson, themeluese e blogut ‘Young Adventuress’, shton se nuk ka bërë pushime të vërteta për thuajse katër vjet. “Është e lehtë të nisësh ta urresh këtë punë”, thotë ajo. Udhëtimi mund të jetë i kushtueshëm, por kështu mund të bësh para. Të udhëtosh botën dhe të shkrepësh foto luksoze të vetes dhe udhëtimeve duken si ëndrra e kujtdo, por puna dhe sasia e kohës që të merr, mund të jetë e frikshme.
“Nuk është gjithnjë diej, ylbere dhe foto të hatashme Instagrami, të paktën jo për mua. Tregon vetëm anën e bukur të udhëtimeve dhe të qenit një bloggere udhëtimesh, por jo çfarë kalon për të mbërritur atje. Njerëzit mendojnë se të qenit një bloggere udhëtimi është puna e ëndrrave dhe se jemi me fat që e kemi, sepse kështu e bëjmë të duket”, ka shkruar Alyssa Ramos në një postim për Huffington Post.
Ramos dhe gratë e tjera shpjeguan rrethin vicioz të udhëtimeve me avionë, jeta me valixhe në duar, duke parë papushim ekranin e kompjuterit, duke edituar fotot dhe duke ndjekur atë të bekuar “Like” ditë e natë. Lufta bëhet edhe më e ashpër në një treg tejet të ngopur. Ashtu siç raporton The NewYork Times , një kërkim me #travelblog në Instagram çon në më shumë se 5.7 milionë rezultate.
Megjithë marrjen në konsideratë të këtyre grackave, të punosh si travel-blogger është ende aventura e një jete ku je shef i vetes, vendos oraret e tua dhe sheh botën. Kështu që nuk kemi pse vajtojmë për ata që jetojnë jetën luksoze të medias sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.