Treg

Bllokimi prej Covid-19, Shqipërisë i munguan 3 mln turistë në 9 muaj

Turizmi ka qenë tejet i vështirë këtë vit, si për Shqipërinë dhe vendet e tjera, veçanërisht për ato vende që ekonomia e tyre ka varësi të theksuar nga kjo industri.

Bllokimi i lëvizjeve dhe mungesa e lehtësimit të tyre për të bërë turizëm ka bërë që Shqipërisë ti mungojnë 3 mln e 237 mijë e 293 turistë të huaj në 9 muajt e parë të vitit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në këtë periudhë të matur janë 62% më pak turstë të huaj se në të njëjtën periudhë të një viti më parë

INSTAT raporton se hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Shtator 2020, janë gati 605 mijë. Krahasuar me Shtator 2019, ky tregues ishte me rënie 43,1 %.

Në Shtator 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në territorin shqiptar janë afro 377 mijë. Krahasuar me Shtator 2019, ky numër ka rënë me 36,2 %. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri në nëntëmujorin 2020 është 2.122.202, duke rënë me 61,1 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Përgjatë nëntë muajve të 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 45,2 %, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Spanja me 90,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori shqiptar, gjatë muajit Shtator 2020 janë 706.145, duke shënuar një rënie me 44,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Shtator 2020 janë 271.586. Krahasuar me Shtator 2019, ky numër ka rënë 51,7 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Shtator 2020, janë 434.559. Krahasuar me Shtator 2019, ky numër ka rënë 39,2 %. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në nëntëmujorin 2020, është 2.208.821 duke rënë 50,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë