Futboll

Bllokimi i fluturimeve në Gjermani, në rrezik Lajpcig-Liverpul

Në Gjermani janë ndaluar fluturimet nga Britania e Madhe deri më 17 shkurt, por një ditë më parë është programuar ndeshja mes Lajpcigut dhe Liverpulit, e vlefshme për fazën e 1/8-ve të Ligës së Kampionëve dhe tashmë në rrezik serioz për t’u zhvilluar.

Liverpuli mund ta luajë në një vend tjetër këtë ndeshje. Ekipi anglez duhet të jetë në Gjermani më 15 shkurt, një ditë para ndeshjes, por vendimi i qeverisë gjermane për të ndaluar çdo fluturim, një masë shtrënguese kjo anti-Covid-19, mund ta detyrojë UEFA-n të ndryshojë programin. Sipas “Mirror”, Lajpcigu ka bërë një kërkesë që Liverpuli të ketë një leje speciale për të shkuar në Gjermani, në mënyrë që ndeshja të luhet sipas datës së parashikuar.

Lajpcigu, duke festuar një gol. Gazeta Si, 3 shkurt 2021

"Jemi në tratativa me autoritetet, UEFA-n dhe Liverpulin", - ka thënë zëdhënësi i klubit gjerman, Till Muler. Vendimi i marrë nga kancelarja Angela Merkel për të ndaluar rezidentët në Britaninë e Madhe, Irlandë, Brazil, Portugali dhe Afrikën e Jugut, është pjesë e masave për të reduktuar përhapjen e Koronavirusit.

Në këtë situatë, ka edhe një mundësi që të bëhet një shkëmbim mes ndeshjes së parë dhe asaj të kthimit, që do të thotë që fillimisht të luhet në Liverpul dhe më pas në Lajpcig. Nëse edhe ky variant bie poshtë, ekipi gjerman është i detyruar të luajë në një vend tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë