Politike

Bllokada “Haradinaj” lë pa gjumë Vuçiçin: Ju lutem, hiqeni!

Ekspertët dhe ekonomistët bien dakort se nga vendosja e taksës 100 për qind për mallrat serbe e boshnjake nga ana e Kosovës nuk ka fitues, por vetëm të humbur. Tani, debati është zhvendosur se kush humbet më shumë nga kjo bllokadë, Serbia apo Kosova?

Sinjalin e parë se kush dëmtohet më shumë e dha Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Vuçiç mblodhi Këshillin Kombëtar të Sigurisë në orët e vona të së mërkurës dhe rreth mesnatës doli në një konferencë për shtyp.

Me gjysmë zëri dhe me një fjalor përulës, ai “iu lut” autoriteteve në Prishtinë që të kthjellohen dhe të rikthejnë në normalitet tregtinë e lirë.

“Ju lutemi, tërhiquni nga ky vendim! Le të ulemi dhe të flasim. Na duhet të arrijmë një marrëveshje dhe mund ta arrijmë një të tillë”, deklaroi Vuçiç.

Për Presidentin serb, pas bllokadës fshihen katër synime të Kosovës.

“Së pari të ushtrojë presion ndaj Beogradit me shpresën se ne do ta njohim pavarësinë e plotë. Së dyti, me anë të bllokadës synohet që të realizohet një spastrim etnik i serbëve në veri dhe jug të lumit Ibër. Së treti vendimi është një presion ndaj ndërkombëtarëve që të bëjnë lëshime në liberalizimin e vizave dhe së katërti, kam frikë se objektiv i mundshëm është destabilizimi i rajonit dhe nisja e një konflikti të ri”, u shpreh Presidenti serb.

Vuçiç përjashtoi mundësinë që Serbia të vendosë masa të ngjashme për mallrat e Kosovës. Ai u shfaq në të njëjtën linjë me ministrin e Tregtisë, Rasim Ljajiç, por me një tjetër arsyetim. Ljajiç deklaroi se mallrat që Serbia importonte nga Kosova janë pa peshë për Serbinë dhe bllokada nuk do të bënte ndonjë ndryshim, ndërsa Vuçiç thotë se nuk do të vendosë barriera për të treguar ndryshimin mes “përgjegjshmërisë dhe papërgjegjshmërisë”.

Nga serbët në Kosovë reagoi kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç. Ai këmbëngul se pas vendimit qëndron synimi i Prishtinës, për gjoja dëbimin e serbëve të Kosovës.    

“Kjo është një deklaratë jozyrtare lufte për të gjithë serbët e Kosovës. Nëse kjo çmenduri nuk merr fund, për serbët e Kosovës nuk ka të ardhme, prandaj ne po kërkojmë një reagim të menjëhershëm dhe ndihmën e Beogradit për këtë çështje”, deklaroi ai për mediat serbe.

Serbët deklarojnë se vendimi i Prishtinës dëmton marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe shkel marrëveshjen e tregtisë së lirë, CEFTA. Por, në Prishtinë, Kryeministri Ramush Haradinaj mbetet i vendosur në këtë qëndrim. Ai thotë se CEFTA nuk funksionon mes Serbisë dhe Kosovës.

Kundër këtij vendimi ka reaguar edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini. Ajo thotë se taksa shkel CEFTA-n dhe i bëri thirrje autoriteteve të Republikës së Kosovës që të tërhiqen menjëherë nga kjo masë.

Ky zhvillim gjeti pasqyrim në mediat ndërkombëtare, ku pjesa më e madhe e tyre kujtojnë se vendimi i Prishtinës u mor fill pas dështimit të anëtarësimit të Kosovës në Interpolin Ndërkombëtar dhe duke e interpretuar atë, thonë se rajoni kthehet pas në kohë në praktika të shekullit të 19-të.

Ndërkohë, ekspertët e cilësojnë një vendim pa fitues.

“Të dyja vendet dalin të humbura nga një situatë e tillë. Konsumatorët në Kosovë dhe prodhuesit në Serbi janë të humburit kryesorë. Por më shumë se dështim i këtyre dy shteteve, ky është shembull dështimi i lidërve të BE-së”, shkruan eksperti Ilir Hysa në Facebook.

https://www.facebook.com/ilir.hysa/posts/10156751650829076

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë