Politike

Bllokada e Kosovës trazon Serbinë. BE s’ka instrumente kundër saj

Në ditën që dy qeveritë shqiptare u mblodhën në Pejë, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ndodhej në Novi Sad, në ceremoninë e 100-vjetorit të marrjes së kësaj krahine nga ana e Serbisë, në fund të Luftës së Parë Botërore.

“Askush nuk mund ta nënshtrojë vendin tonë. Askush s’e ka bërë në të shkuarën dhe askush nuk do të bëjë në të ardhmen. As ata që po përpiqen sot”, deklaroi Presidenti serb.

Vuçiç nuk anashkaloi debatin e ditës në Beograd e Prishtinë. Duke iu referuar mbledhjes së përbashkët të dy qeverive shqiptare ai iu rikthye taksës 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe.

“Kosova po i heq të gjitha barrikadat Shqipërisë, ndërsa Serbisë po i vendos”, u shpreh ai, duke përsëritur edhe njëherë tjetër thirrjen për komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimin Europian që të ndërhyjë.

Ndërkohë, mediat serbe kanë gjetur një tjetër ‘provokim’ pas mbledhjes së dy qeverive në Pejë. Ministri i Tregtisë së Kosovës, Endrit Shala postoi në rrjetet sociale një foto së bashku me Kryeministrin Edi Rama. Fotoja përsipër kishte shënimin “100 për qind”. Shala saktëson se mëgjithëse ishte ai që e postoi foton, ideja ishte e Kryeministrit të Shqipërisë.

https://www.facebook.com/OfficialEndritShala/photos/a.741827289512420/758643297830819/?type=3&theater

Nëse vërtet fotoja është një ide e Edi Ramës, atëherë Kryeministri i Shqipërisë, ndonëse publikisht nuk e ka thënë, e mbështet taksën e vendosur nga Kosova për produktet serbe, ndryshe nga ministri i tij i Financave, Arben Ahmetaj, që përmes një postimi në rrjetet sociale postonte në fundjavë një foto me homologun e tij serb.

“Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve dhe reduktimi i barrierave për lehtësimin e tregtisë është një domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik rajonal. Shqipëria dhe Serbia mund të japin shëmbullin e mirë të bashkëpunimit ekonomik e politik, që do të avancohet me të gjithë vendet e rajonit”, shkruante Ahmetaj, i cili edhe më parë i ka këshilluar Kosovës që të mos marrë masa të tilla me asnjë vend.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj  dhe homologu i tij serb, Sinisa Mali

Postimi shkaktoi reagime tek opinioni publik në Prishtinë, që duket se mbështet taksën. Në kulmin e këtij reagimi, Ahmetaj zgjodhi që të fshijë postimin në fjalë nga faqja e tij zyrtare në Facebook.

BE “duarlidhur” përballë taksës “Haradinaj”

Vendet anëtare të Bashkimit Europian, përfshirë këtu Gjermaninë nuk do të marrin asnjë veprim individual kundrejt Kosovës si kundërpërgjigje ndaj taksës 100 për qind që ajo vendosi për mallrat serbe e boshnjake.

Sytë e Beogradit tashmë janë drejtuar nga Brukseli. Por, vështirë se Brukseli do të arrijë të bëjë dot më shumë nga sa ka bërë deri më tani. BE i ka thënë të gjitha çfarë kishte për të thënë për këtë subjekt dhe pret nga Prishtina që të tërhiqet nga ky vendim. Nëse Kosova vendos të mos e bëjë këtë, atëherë i vetmi mekanizëm që BE ka në dorë është kushtëzimi i rrugëtimit në integrimet euro-atlantike dhe sidomos tek liberalizimi i vizave.

Për masa të tjera ka pak gjasa që të mbërrijnë. BE nuk ka mekanizma shtrëngues, madje as vetë marrëveshja e tregtisë së lirë, CEFTA, ku si Kosova, ashtu edhe Serbia janë anëtare nuk parashikon mekanizma shtrëngues.

“Kosovës nuk ka fuqinë diplomatike të Serbisë në arenën ndërkombëtare dhe kjo u pasqyrua edhe në dështimin për t’u anëtarësuar në Interpol. Taksa është një prej rrugëve të pakta të Kosovës për të luftuar në një mënyrë që të dëmton shumë Serbinë”, thotë për gazetën serbe, “Danas”, gazetari britanik, Tim Judah, njohës i mirë i çështjeve ballkanike.

Judah mendon se taksa nuk do të hiqet, të paktën në një kohë të shpejtë. Ai thotë se Prishtina nuk ka asnjë arsye se përse ta bëjë këtë.

“Dialogu Vuçiç-Thaçi është në ngërç, Serbia vazhdon luftën diplomatike kundër Kosovës. Karta e liberalizimit të vizave duket e djegur, pasi disa vende anëtare edhe para kësaj takse kanë shprehur votën kundër dhe për më tepër, produktet që Kosova importon nga Serbia janë të zëvendësueshme lehtësisht nga vendet e tjera”, shtonh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë