Treg

Bllokadë totale për mallrat serbe

Kur paralajmëroi javën e kaluar se tarifat për mallrat serbe që do të hynin në Kosovë nga 10 për qind që ishte vendosur mund të rritej edhe më shunë, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk dha asnjë sinjal se sa do të rritej kjo tarifë.

Askush pas kësaj deklarate nuk mendonte se rritja do të mbërrinte kaq shpejt, aq më tepër në një shifër prej 100 për qind. Lajmin e konfirmoi Ramush Haradinaj përmes një postimi në rrjetet sociale, një ditë pasi Kosova nuk mori anëtarësimin në Interpolin ndërkombëtar.

“Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme (e mërkurë) ka marrë vendim që të vendoset masa prej 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përjashtuar brendet ndërkombëtare të listuara në aneks. Po ashtu, Qeveria e vendit obligon Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë dhe të gjitha institucionet relevante, që të largojnë dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve, të cilat nuk i referohen dhe janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Vendimi hyn në fuqi menjëherë. Institucionet relevante obligohen ta zbatojnë po ashtu menjëherë”, shkruan Haradinaj.

Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së kësaj të mërkure

Lajmi është përhapur me shpejtësi në mediat serbe. Ato kanë pasqyruar vendimin dhe në disa prej tyre, si tek Kurir, cilësohet si një akt i pashembullt dhe shkelje e rëndë e marrëveshjes së tregtisë së lirë CEFTA.

Ditët e javët në vazhdim do të japin një panoramë më të qartë të efekteve të këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës, por e sigurtë është që ato nuk do të mungojnë, të paktën nisur nga shifrat e publikuara nga Dhoma Serbe e Tregtisë, e cila tha se pas vendosjes së tarifës 10 për qind nga ana e Prishtinës, mallrat serbe që u eksportuan në drejtim të Kosovës u përgjysmuan.

“Deri para hyrjes në fuqi të tarifës, në Kosovë hynin çdo ditë rreth 130 kamionë me mallra nga Serbia. Pas vendosjes së tarifave, ky numër ra në 60 kamionë”, thuhet në deklaratën e Dhomës Serbe të Tregtisë.

Kosova vendosi tarifat si shenjë reagimi ndaj sjelljes së Bosnjes dhe Serbisë karshi shtetit të Prishtinës. Edhe Bosnja bën pjesë tek vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Qeveria kosovare mbrojti vendimin e saj duke deklaruar se si “Bosnja, ashtu edhe Serbia po dëmtojnë e minojnë interesat e Kosovës dhe përpjekjet e saj për t’u bërë pjesë e institucioneve dhe organizmave ndërkombëtare”.

Dhoma Serbe e Tregtisë tha se që nga janari deri në shtator të këtij viti, janë eksportuar në drejtim të Kosovës rreth 350 milionë euro mallra me një sufiçit tregtar prej 330 milionë euro. Kjo Dhomë deklaroi se të vetmet mallra që po eksportohen aktualisht në drejtim të Kosovës janë vetëm prodhimet ndërkombëtare dhe të mira me kosto të ulët, që përjashtohen nga tarifa prej 10 për qind.

Kompanitë serbe njoftojnë nga ana tjetër se kanë pezulluar eksportin e mallrave serbe në drejtim të Kosovës, duke deklaruar se e kanë të pamundur që të hyjnë në këtë treg, pasi mallrat e tyre bëhen jokonkurruese.

Nga ana tjetër, në Beograd ka patur thirrje për reciprocitet, por ministri serb i Tregtisë e përjashtoi këtë mundësi me argumentin se Serbia importon shumë pak mallra nga Kosova.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë