Bota

Blinken takon presidentin palestinez. Abbas i kërkon ‘armëpushim të menjëhershëm’

Nga Gazeta 'Si'-Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken vazhdoi orvatjet diplomatike në Lindjen e Mesme rreth luftës Izrael-Hamas në Bregun Perëndimor të dielën, duke u takuar me presidentin palestinez Mahmoud Abbas.

Blinken udhëtoi për në Ramallah në vizitën e tij të paparalajmëruar, në një autokolonë të blinduar dhe nën masa të rrepta sigurie, vetëm disa orë pasi avionët luftarakë izraelitë goditën një kamp refugjatësh në Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 40 njerëz dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, thanë zyrtarët shëndetësorë të territorit.

Pavarësisht fshehtësisë dhe refuzimit të Departamentit të Shtetit që të konfirmonte udhëtimin deri pas largimit të sekretarit Blinken nga Bregu Perëndimor, protestat shpërthyen kundër vizitës së tij dhe mbështetjes amerikane për Izraelin, pasi rrodhën fjalët për mbërritjen e tij.

Asnjëri nuk foli teksa u përshëndetën para kamerave dhe takimi përfundoi pa ndonjë koment publik.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se sekretari Blinken riafirmoi angazhimin e SHBA-së për ofrimin e ndihmës humanitare dhe rifillimin e shërbimeve thelbësore në Gaza, si dhe e bëri të qartë që palestinezët nuk duhet të zhvendosen me forcë.

Sekretari Blinken dhe presidenti Abbas diskutuan përpjekjet për të rivendosur qetësinë dhe qëndrueshmërinë në Bregun Perëndimor, duke përfshirë nevojën për t’i dhënë fund dhunës ekstremiste kundër palestinezëve dhe për t’i mbajtur autorët përgjegjës, tha zëdhënësi Miller, në lidhje me dhunën e ushtruar nga kolonët izraelitë.

Presidenti palestinez, Abu Mazen, i tha Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Ramallah se duhet të ketë një "armëpushim të menjëhershëm" në Gaza në mënyrë që ndihma humanitare të mund të hyjë në Rripin e Gazës, tha zëdhënësi i tij Nabil Abu Rudeineh.

Takimi me Abbas, president i Autoritetit Palestinez me seli në Ramallah, i cili nuk ka qenë një faktor në Gaza që kur Hamasi e mori atë me forcë në vitin 2007, u zhvillua në fillimin e ditës së tretë të një turneu të ngjeshur të sekretarit Blinken në Lindjen e Mesme, i dyti që nga fillimi i luftës me një sulm të papritur të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.

Blinken vizitoi Izraelin dhe u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të premten, përpara se të largohej për në Jordani për takime me zyrtarë të lartë arabë ditën e shtunë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë