Ekspozite

Blerta Hoçia – Na ishte njëherë lufta, vdekja dhe një ekspozitë për të mos harruar fëmijët e vrarë

Një listë e gjatë me 1133 emra fëmijësh. Pas çdo emri një histori. Një dhimbje e pashuar, 20 vjet pas përfundimit të luftës. Paskëtaj, si të kesh hyrë ngadalë brenda një rrëfenje,  në korridorin e gjatë të emrave dëgjohet kumbi i një zëri që vjen nga një dhomë e errët…është rrëfimi i Gramoz Berishës, njëri  nga të mbijetuarit e familjes Berisha.  Ata që kalojnë në të mbajnë vesh në terr, ashtu siç qe edhe përjetimi i Gramozit të vogël, atëkohë vetëm gjashtë vjeç.

Më pas,  para vizitorëve hapet një hapësirë, në mes të së cilës është instaluar një dhomë prej  xhami, ku mbretëron drita e brenda saj objektet që  u përkisnin fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë kohës së luftës në Kosovë, 1998-2001. Lodra, veshje, sende vetjake, që për fat të keq jetuan më gjatë se ata që i patën dikur, por që sot mundet t’i klithin botës mbi tmerret e luftës, për të jetuar në emocionet dhe kujtesën e kujt i mbijetoi.

“Kur futemi brenda dhomës se xhamit në  njëfarë mënyre futemi brenda dhomave tona të  memories kolektive, për ta zgjuar atë”, rrëfen Blerta Hoçia, kuratore e ekspozitës “Na ishte njëherë, që kurrë mos qoftë”, e çelur më 13 maj në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë.

Ekspozita e çelur në nderim dhe në përkujtim të gjithë atyre jetëve të humbura, të ndërprera nga barbaria e luftës në moshë të njomë, zbulon kuratorja, do të qëndrojë e çelur për një vit e më pas, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, nismëtar i kësaj ekspozite, synon ta shndërrojë në një memorial të fëmijëve të vrarë e të zhdukur, gjatë luftë.

Koncepti i ekspozitës, vijon Hoçia, lidhet me dimensionin e fëmijërisë, me përrallën  dhe lojën, që janë esenca e saj. “Synimi i kësaj ekspozite është që të jetë  një përjetim dhe e gjithë ekspozita mund të shihet si një  rrëfim, thotë kuratorja, ndërsa zbulon për Gazetën “Si”,  më shumë detaje nga rrugëtimi i kësaj ekspozitë.

Ndryshe nga çdo lloj ekspozite që mund të çelje si artiste apo si kuratore, “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, me siguri ishte ndryshe për ty për temën dhe ngarkesën që mbart. Si u ngjiz koncepti dhe cili ishte rrugëtimi deri në çeljen e ekspozitës më 13 maj?

Ftesa për të kuruar një ekspozitë, që t’i dedikohej kujtimit të  fëmijëve të vrarë dhe të  zhdukur në lufte, erdhi nga Fondi për të drejtën humanitare, Kosove. Ata janë të angazhuar ne terren prej 20 vjetësh dhe aktivitetet e tyre janë në  fushën e drejtësisë tranzicionale dhe memorializim.

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) që nga viti 1997 merret me dokumentimin e viktimave të krimeve të luftës dhe shkeljeve tjera të rënda të të drejtave të njeriut. Të gjitha aktivitetet e FDHK janë në fushën e Drejtësisë Tranzicionale dhe kontribuojnë në arritjen e drejtësisë për viktimat, në vendosjen e narracionit të saktë mbi luftën, përkrahjen e viktimave në realizimin e të drejtës së tyre në reparacione dhe në edukimin e të rinjve mbi Drejtësinë Tranzicionale. Së fundi, FDHK kontribuon edhe në memorializimin e viktimave të luftës.

Kuratorja e ekspozitës, Blerta Hoçia

Titulli “Na ishte njëherë…” , por edhe qelqi me tejpashmërinë dhe brishtësinë e sillnin menjëherë asociacionin e një bote fëmijësh, por që në rastin e 1133 fëmijëve kjo botë u thye barbarisht. Si lindi titulli dhe ideja për t’i futur veshjet, lodrat, sendet vetjake të atyre fëmijëve në kuti qelqi?

Duke pare objektet e mbledhura dhe duke mësuar mbi rrethanat e vdekjeve të këtyre fëmijëve,  isha e bindur se  kjo ekspozite ishte e domosdoshme dhe këto histori duheshin treguar. Dhe, mënyra se si tregohen historitë për fëmijë  është ajo e përrallave,  por në  këtë rast menjëherë i bashkëngjitet urimi dhe njëkohësisht mallkimi “që kurrë mos qoftë!” . Kjo ekspozite është njëkohësisht një memorial, por nuk është vetëm për t’i kujtuar jetët e ndërprera të   atyre fëmijëve, por edhe për të kërkuar të  vërtetën dhe e vërteta e treguar, nga këndvështrimi i fëmijëve,  bëhet e paanshme. Si mund ta kuptoje luftën një fëmijë?  Me  siguri jo me botëkuptimin e një të rrituri,  por me shumë mundësi me përmasat e joreales,  ashtu si edhe përrallat. Dhe sërish ideja për ta mbështjellë secilin objekt nga xhami është njëkohësisht për të na kujtuar brishtësinë e jetëve të marra, por edhe përrallën ku diçka tepër e bukur dhe e çmuar nuk mund të ruhet në  asgjë tjetër, veç xhamit.

Si u prit ekspozita në Kosovë?  2019 shënon edhe 20 vjetorin e përkujtimit të luftës dhe përtej familjarëve që kanë humbur fëmijët e përkujtuar në këtë ekspozitë, e gjithë shoqëria atje ka vuajtur nën lëkurë dhe i ka ende të freskëta plagët e luftës. Si artiste, a i sheh këto nisma si kjo ekspozitë një hap drejt kapërcimit të traumave?

Ekspozita u prit mirë, përtej ngarkesës emocionale dhe dhimbjes.

Personalisht si e kujton ti luftën?

Unë kam kujtime të zbehta për luftën.  Do të  doja t’ia vë fajin moshës, por kam frike se ka qene mosinformim, sigurisht në  Shqipëri ne kemi ditur që ka pasur luftë, por nuk kemi ditur që  lufta më së shumti është bere mbi civilë  dhe me të dhënat që  tani i dimë edhe mbi fëmijë.

Të pranishëm në ekspozitë besoj ishin edhe prindër e familjarë të fëmijëve të humbur. Cila qe atmosfera që e përkufizoi ceremoninë e çeljes? Nga fotot pashë prindër që tregonin me gisht fotografi dhe objekte që u përkisnin fëmijëve të tyre…

Gjate kohës qe po bëja kërkime,  kisha shkruar diku se nuk doja që kjo ekspozite të  ngjallte urrejtje, por duhet të ishte një përjetim empatie.  Më vonë e hoqa,  duke e kuptuar se gjithashtu nuk doja t’i thosha  askujt se çfarë duhet të  ndiente. Por  ajo që ndodhi në hapje,  ishte pikërisht një ndjenje e jashtëzakonshme empatie midis të gjithë vizituesve, objekteve dhe historive të fëmijëve dhe familjareve.

Më the me herët se ekspozita është vetëm hapi i parë i krijimit të një memoriali për këta fëmijë të vrarë e të zhdukur. A ka hapa konkretë për ta vënë në jetë idenë?

Ekspozita do të qëndrojë e hapur rreth një vit dhe gjatë  kësaj kohe, Fondi është i angazhuar në  mbledhjen e objekteve dhe materialeve të  tjera të  fëmijëve me shpresën dhe urimin që  kjo të shndërrohet në një ekspozitë  permanente,  ose të  punohet në  ndërtimin e një muzeu të memories.

Çfarë synon të ngjallë e të shërojë kjo ekspozitë, por edhe nisma e mëtejshme për memorialin?

Shpresojmë që kjo ekspozitë  te shihet si një hap i parë për të kuptuar rëndësinë e ndërtimit të një muzeu të  kujtesës për të ruajtur memorien tonë  kolektive dhe për të edukuar brezat e rinj,  që  nuk e kanë  jetuar luftën, që  të mos e  përsërisin atë kurrë më.

 

Më Shumë