Ne rrjet

Bjellorusia sfidon koronavirusin dhe nxjerr ushtrinë në paradë (Fotogaleri)

Bjellorusia është i vetmi vend në Europë dhe ndër të paktët në botë që ka sfiduar pandeminë e koronavirusit dhe këtë 9 maj, ditën e fitores mbi nazistët e përkujtoi si çdo vit tjetër; me një paradë ushtarake.

Mijëra njerëz u mblodhën në rrugët e kryeqytetit Minsk për të marrë pjesë në paradën e përvitshme, ku vendi i njohur si një prej aleatëve më besnikë të Rusisë shpalosi potencialin e vet ushtarak.

Kjo e bën Bjellorusinë të vetmin vend në Europë që mban paradën ushtarake për këtë vit për të përkujtuar fitoren mbi nazizmin, ndërkohë që parada të ngjashme që janë organizuar çdo vit nga Rusia, deri në Francë u anuluan për shkak të pandemisë së Covid-19.

Me një popullsi prej 9.5 milionë banorësh, Bjellorusia numëron zyrtarisht rreth 20 mijë persona të infektuar nga virusi dhe pak më shumë se 150 të vdekur. Këto janë shifrat zyrtare, që vihen në mëdyshje nga ekspertët dhe mediat ndërkombëtare, që deklarojnë se shifrat e vërteta të infeksioneve dhe fataliteteve mund të jenë shumë më lart.

Politika e ndjekur nga Lukashenko ndaj pandemisë së koronavirusit ka vendosur në “siklet” edhe mikun e tij Vladimir Putin në Moskë, që ndryshe nga Bjellorusia ka ndërmarrë disa masa kufizuese për parandalimin e infeksionit. Marrëdhëniet e shkëlqyera mes tyre mund të jenë dëmtuar nga një episod i fundit, ku Bjellorusia dëboi dy gazetarë të televizionit shtetëror rus, që i akuzoi për përhapje paniku, lajmesh të rreme dhe propagande.

Dy gazetarët në fjalë ishin pjesë e një grupi xhirimi që vrojtuan në terren situatën nga koronavirusi. Në reportazhin e shfaqur në televizionin “Channel 1”, pjesë e rrjetit të televizioni shtetëror rus gazetarët shfaqeshin në një nga varrezat e Minskut, duke treguar një numër të lartë varresh të reja, duke hedhur dyshime se viktimat ishin pasojë e Covid-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë