Biznes

Biznesi: Ka mjerim dhe nevojë për kredi, por Garancia Sovrane 2 e paleverdisshme

Një pjesë e bizneseve thonë se kanë qenë realisht të interesuar për kredinë sipas Garancisë Sovrane 2 e cila fillimisht u reklamua me interes 0 për bizneset që do të thotë që 60% mbulohej nga shteti dhe 40% nga sistemi bankar.

Por sipas bizneseve “rregullat e lojës kanë ndryshuar rrugës” dhe me gjendjen që ata kanë aktualisht, të goditur nga pandemia, nuk kanë mundësi dhe nuk iu leverdis të marrin një kredi tregtare me interesa deri në 5%.

Gjergji Buxhuku, perfaqesues i Konfindustria

“Garancia Sovrane 2 është në thelb diskrecion i bankave. Janë bankat që në finale do të vendosin duke u bazuar tek performanca e biznesit në historik dhe në aftësitë e tashme dhe të projektuara. Interes ka nga kompanitë në përgjithësi që kanë aplikuar në vazhdimësi pa pasur parasysh thjesht kredinë me garancion të pjesshëm shtetëror”, thotë Gjergj Buxhuku i Konfindustrisë.

Kurse nga Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë Tiranë thonë se nuk ka asnjë interes për këtë kredi sepse, siç shpjegon kreu i kësaj dhome, nuk ka nevojë për garantor shtetin për një kredi tregtare me 5% interes.

Nikolin Jaka, drejtues i Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë Tiranë

“Biznesi nuk ka qenë ndonjëherë në një situatë të ngjashme. Sipas statistikave që disponojmë, janë rreth 61 mijë persona të cilët kanë humbur vendet e punës për periudhën dymujore mars-prill. Në një kohë kur ende nuk e dimë se sa do të zgjasë pandemia, është shumë e vështirë të japësh afate kohore, se kur mund të rivendoset situata për ecurinë normale të ekonomisë, që biznesi të vihet në efiçencë me kapacitet të plotë. Brenda garancisë sovrane, të dhënë në formën e një fondi prej 11 miliardë lekësh nga qeveria shqiptare, nuk është përfshirë sektori bujqësor, që përbën një ndër sektorët parësorë të ekonomisë së vendit; çka sheh të nevojshme akordimin e një pakete të tretë, e cila të jetë e dedikuar vetëm në mbështetje të ekonomisë prodhuese, siç janë prodhimi industrial, bujqësor dhe turizmi. Kurse për Garancinë Sovrane 2 është e pakuptimtë për bizneset kur interesi është në nivelin 5%. Për këtë lloj kredie nuk ke nevojë për garantor shtetin”, thotë Nikolin Jaka.

Ai thekson se nga bizneset, anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë interes për t’u përfshirë në këtë lloj kredie.

Luian Bregasi, askioner i “Birra Tirana”

Kurse Luan Bregasi i “Birra Tiranës” thotë që “bizneset kanë shumë nevojë për likuiditet që t’i rekthehen aktivitetit dhe për investime”. “Prandaj u entuziazmuan për Garancinë Sovrane 2 sepse në fillim u tha që do të ishte me interes zero për biznesin duke u mbështetur nga qeveria dhe banka, por gjatë rrugës rregullat e lojës ndryshuan. Do të ketë kritere të forta dhe bizneset do të përzgjidhen sipas historikut dhe përgjigja del pas 60 ditësh. Por pjesa më e madhe e bizneseve ka pasur probleme edhe para pandemisë dhe sigruisht që nuk e përfitojnë dot kredinë. Për kë është kjo kredi atëherë? Kërkesa ka, por me këto kritere që ndryshojnë në minutën e fundit, nuk besoj se do të ketë biznese që do të marrin kredi”, thotë Bregasi.

Sipas tij, biznesi i ka kërkuar qeverisë interes të ulët dhe pagimin e interesave një vit pas marrjes së kredisë.

Bregasi bën me dije se nuk ka një marrëveshje konkrete mes bankave të nivelit të dytë dhe qeverisë ku përcaktohen saktësisht kriteret. Sipas tij, biznesi është në pritje.

Ministrja e Financave Anila Denaj gjatë një vizite dy ditë më parë në një biznes, bëri me dije se nuk ndërhyn në marrëdhënien biznes-bankë, por sipas saj biznesi mund të negociojë me bankën për çështjen e interesave të kredisë. Sipas saj, kredia për Garancinë 2 do të jetë për kapital qarkullues dhe investime.  

Sipas përfaqësuesëve të bizneseve gjendja financiare e tyre është e mjerueshme dhe shumë biznese pritet të falimentojnë.

Më Shumë