Para

Paketa 1. Pse 1? Po sa? 2. Pse 2? Po sa? 3. Ku TRESHI????

Nga Meri Lika - Motorët e ekonomive në të gjithë botën janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Këto ndërmarrje sot janë me ujin te gryka. Situata e karantinës i ka lënë pa oksigjen financiar dhe disa janë në prag kolapsi. Mijëra prej tyre, të përfshira në industrinë e prodhimit, tregtisë, ndërtimit dhe shërbimeve, ky i fundit sipas të dhënave të Komunitetit Europian është një nga sektorët më të prekur nga situata Covid-19, nuk po prodhojnë dot të ardhura dhe as nuk po marrin dot të ardhura.

Shumë prej tyre kanë mbetur pa likuiditet për të paguar punonjësit dhe furnitorët, ose janë duke mbaruar rezervat e tyre të kursimeve për të përmbushur detyrimet. Dhe gjatë kësaj kohe janë grumbulluar shpenzimet e qirave apo edhe kreditë që shoqëritë kanë pasur më parë nëpër banka.

Në këtë moment duhet të merren masa urgjente nga qeveria për të ndihmuar ringritjen e NVM-e.

Qeveritë në të gjithë botën kanë miratuar masat e duhura për të shpëtuar ekonomitë e vendeve të tyre. Të gjitha qeveritë kanë lëvizur gurët për të kërkuar burime brenda vendit, por edhe jashtë.

Po qeveria jonë çfarë masash ka marrë?

Deri tani në dy paketat që ka bërë publike ndihmat ndaj bizneseve qofshin këta të mëdhenj apo NVM, kanë qenë të papërfillshme.

Deri në datën 20 maj 2020 sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, kishin përfituar 260 biznese të vogla me një vlerë totale 29 milionë euro, dhe kanë qenë edhe 320 aplikime që prisnin. Gjithmonë flasim për Paketën e Parë.
Por ndërkohë që afati për aplikim për Garancinë sovrane të Paketës 1 ka mbaruar, bizneset ende nuk kanë përballë të firmosur, termat teknikë për Garancinë sovrane të Paketës 2.
Edhe pse nuk janë të përfunduar, këto terma tashmë dihen. Për kredinë, e cila do të shërbejë për kapital qarkullues, në mënyrë që t’i japë frymë biznesit, ka vetëm disa njoftime paraprake: do të ketë afat shlyerje 4 vite, normë interesi 5%, 60% garanci nga shteti dhe 40% duhet kolateral nga biznesi.

Për bankat biznesi kryesor është të japin hua, por, pavarësisht se kanë një garanci pjesore nga qeveria, bankat kërkojnë si kushte kryesore; performancën e biznesit përpara Covid, likuidimin e detyrimeve tatimore si dhe të sigurohet vazhdimësia, vetëm kështu mund t’i thuhet “Po” biznesit.

“Të kesh një kredi të lirë është shenjë e mirë, por jo sa duhet për të shmangur mbylljen e mijëra ndërmarrjeve dhe shkatërrimin e vendeve të punës”.

Qeveria, mendoj, se ende nuk e ka kuptuar se nëse kompanitë mbyllen, sistemi ekonomik do të hynte në kolaps. Si pasojë e kësaj, është koha që qeveria të lëvizë nga masat konvencionale në të guximshme në mënyrë që rafti i biznesit të vogël të mos thyhet dhe ekonomia e vendit të vazhdojë.

Shumë shqiptarë mendojnë se në vend veprojnë, mbi të gjitha, shoqëri të mesme dhe të mëdha. Por realiteti është krejt ndryshe: pëlhura e biznesit është shumë e ndjeshme sepse shumica e tyre janë njësi prodhuese të vogla ose shumë të vogla, shumë prej tyre janë informale ose nga ato që luftojnë për mbijetesë. Sipas të dhënave të INSTAT, 99.8% të të gjitha ndërmarrjeve janë Ndërmarrjet e Mesme dhe të Vogla. Kjo do të thotë se Shqipëria, në realitet, është një vend i mikronjësive.

Për rrjedhojë, e ardhmja e këtyre njësive është shumë e rëndësishme për vendin.

Strategjia që duhet të ndjekë qeveria duhet të jetë e bazuar në tri fronte, përmbajtja e krizave, rimëkëmbja dhe financimi, dhe kjo do të ishte vendimtare. Një, zgjerimi i masave emergjente që synojnë mbështetjen e likuiditetit të shoqërive të vogla dhe të mesme dhe ruajtjen e punësimit. Bizneset e vogla dhe profesionet e lira kanë nevojë për mbështetje të drejtpërdrejtë për të parandaluar mbylljen e tyre, dhe jo vetëm kredi të lirë. Në Gjermani, Francë dhe Itali, bizneset e vogla në vështirësi marrin një kontribut dhe mbështetje monetare për të rinegociuar qiratë tregtare dhe pagimin e taksave. Po kështu, zbatimi i një garancie universale të punësimit, siç ekziston në vendet nordike, është thelbësore për të parandaluar papunësinë afatgjatë tek të rinjtë, punëtorët e pasigurt dhe të tjerët që nuk janë të përfshirë në sistemin e sigurimeve shoqërore.

Po kur do të fillojë aplikimi i Paketës 2? Po Paketa 3, të cilën ministri Ahmetaj e reklamoi ndërkohë që u bë publike Paketa 2 dhe që sipas tij, do të kishte në fokus rimëkëmbjen e ekonomisë, kur do të bëhet publike?

Publikimi i paketave të ndihmës qeveritare është bërë si lojë kungulleshkash, por që deri tani nuk kanë zgjidhur asgjë përveçse kanë dhënë lëmoshën e radhës.

Kolapsi është afër, a do ta shmangë dot qeveria?

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë