Biznes

Biznesi i vogël: Të anulohet fiskalizimi, kemi kosto deri 1300 euro. Mbi 90% s’dinë të instalojnë sistemin

Protesta e biznesit të vogël kundër fiskalizimit, po ndodh 10 muaj nga nisja e këtij procesi dhe kjo sepse bizneset tani kanë kuptuar koston, vështirësinë dhe dëmet që do të sjellë.

Këtë e thotë Albert Nasto, Kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm për Gazetasi.al. Ai shton se ka detaje mbi fiskalizimin që janë mbajtur të fshehura sepse janë të përfshira kompanitë private.

Nasto tregon kërkesat e panegociueshme që i kanë drejtuar qeverisë.

"Kërkesa e parë është shtyrja pa afat e ligjit të fiskalizimit. Të shtyhet jo më pak se 3-4 vjet. Jo vetëm që duhet të shtyhet, por dhe duhet anuluar për biznesin deri në 14 mln lek xhiro vjetore. Kjo sepse është një kosto financiare për montimin e sistemit i cili shkon deri në 1.300 euro. Mbi 90 % e bizneseve nuk mund ta instalojnë këtë sistem", thotë ai.

Nasto tregon se në një anketë të bërë me 2000 biznese vetëm 30 mund ta blinin dhe ta instalonin pajisjen. "Në të kundërt do të duhet të mbyllësh biznesin", shton Nasto.

Kreu i Shoqatës së Biznesit shprehet se shumë nga punonjësit në këto subjekte nuk kanë arsimim dhe kualifikim për të punuar në një sistem të komplikuar si fiskalizimi.

"Biznesi i vogël por dhe ai i mesëm që operon në  vendin tonë,  ose i quajtur i vetpunësuar  ka nga 1-4 punonjës dhe përbën mbi 90% të bizneseve. Ka mbi 360-400 mijë të punësuar  që nuk kanë arsimimin për të punuar me këtë sistem kaq shumë të ndërlikuar e të sofistikuar i cili nuk përdoret as në rajon e as në Europë", vijon Nasto.

Biznesi por dhe ekonomia ne vend, thotë Nasto, jane më pa ndihmë nga ana e qeverise, krahasuar me vendet fqinje por dhe me ato të Bashkimit Eurpian gjatë pandemisë, pasi biznesi u mbyll mbi 3 muaj me urdhër të qeverisë.

Kështu, sipas tij ata që nuk dinë të merren vetë me kasën do t'i duhet të punësojnë dikë që është i kualifikuar me një kosto vjetore jo më pak se 1 milionë lekë në vit.

Kreu i Shoqatës parashikon se 65-70% e bizneseve mund të mbyllen nëse nuk kryejnë fiskalizimin dhe do të ketë gjoba të papërballueshmë për ta.

"Nga këto biznese varet jeta jonë dhe e familjeve tona,"-thotë Nasto duke shprehur se fiskalizimin do e shtojë informalitetin dhe jo ta reduktojë atë.

Gjatë të dielës së 31 tetorit, bizneset e vogla në vend mbyllën qepenat për një orë në formë proteste kundër fiskalizimit.  Ata paralajmëruan grevë urie në rast se kërkesat  e tyre nuk merren parasysh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë