Biznes

Biznesi i vogël në protestë mbi fiskalizimin/ Tregtarët paralajmërojnë grevë urie

Në orën 11:00, gjatë të dielës së fundit të tetorit bizneset e vogla në vend kanë mbyllur qepenat në formë proteste kundër fiskalizimit.

Bashkë me Shoqatën e Biznesit të vogël dhe disa nga deputetët e Partisë Demokratike në vend, po protestojnë kundër vendimit të qeverisë që parashikon përfshirjen e skemës së TVSH për biznesin e vogël dhe atij të mesëm, në pragun 20 milionë lekë.

Kreu i shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesëm, Albert Nasto ka paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen derisa qeveria të marrë masa për procesin e fiskalizmit që sipas tij dëmton rëndë biznesin e mesëm dhe të vogël. Mund të shkojë deri në një grevë urie.

Nasto ngre dyshimet se ky proces bëhet për të demtuar qëllimisht biznesin e mesëm e të vogël, për shkak se Shqipëria po shkon drejt ekonomisë monopol.

"Ne kemi parashikuar që me anë të këtij sistemi, do mbyllen rreth 60 deri 65% e bizneseve. Monopolet kanë përgatitur këtë program. Të paktën duhet të shtyhet për 2-3 vjet dhe ndoshta duhet të shikohet anulimi për biznesin e vogël e të mesëm që nuk ka lartësinë arsimore për ta punuar."

Nënkryetari i Shoqatës, Bujar Muça në deklaratë për median thotë se kostoja për bizneset është e lartë dhe e papërballueshme këtë kohë.

Ai shprehet se 90% e bizneseve i janë bashkuar protestës.

Shoqata kërkon që sistemi i fiskalizimit të jetë sa më i thjeshtë dhe i kuptueshëm për biznesin e vogël.

Qepenat do të qëndrojnë mbyllur deri në orën 12:00 në tregun e Medresesë, tregun Elektrik, Çam dhe Industrial. Paralelisht po protestohet dhe në qytetet tjera të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë