Politike

Biznesi i vogël, PD: I mbytur nga taksat e bashkive

Partia Demokratike akuzon Qeverinë se taksat që i ka hequr me njërën dorë biznesit të vogël ja merr me dorën tjetër, duke u treguar “hileqare dhe e pabesë”.

“Qeveria është treguar hileqare dhe e pabesë ndaj biznesit të vogël, i vendosi ato në skemën e TVSH dhe që prej qershorit 2015 ku Veliaj u bë kryetar bashkie taksat dhe tarifat vendore u rritën. Një biznes i vogël sot paguan çmimin e lartë të energjisë elektrike, i është shtuar një kosto për kontabilistin prej 600 mijë lekësh, po i shtohet kostoja e fiskalizimit prej 2000 eurosh dhe i janë rritur të gjitha taksat dhe tarifat vendore”, deklaroi ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku.

Tabaku thotë se sot një biznes me 2 mln lek xhiro paguan 13.750 lek taksa dhe tarifa në bashki, ndërsa bizneseve nga 2 deri në 8 mln kjo shumë shkon deri në 50 mijë lek.

“Kjo është e vërteta dhe nuk ka propagande dhe bojatisje qe e mbulon. Si në qendër të Tiranës dhe në periferi situata është e njëjtë, qeveria me një tufe taksidaresh sulet për të marrë nga biznesi vogël atë që ia fal miqve e oligarkëve. Biznese në kulm të dëshpërimit që nuk mbulojnë dot kostot mujore, që nuk paguajnë dot qiranë që përditë janë objekt sulmi të taksidareve e që vetëm një kontakt kanë me shtetin atëherë kur i vendos gjoba”, vijoi Tabaku.

Ish-deputetja demokrate premtoi se me Partinë Demokratike në pushtet, biznesi i vogël do të jetë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit.

“PD do të vendosë biznesin e vogël në qendër të zhvillimit, do të vendosë një taksë të vetme unike për mbi 100 000 biznese prej 0,5%. Taksat e jashtëzakonshme, një vjedhje e pastër e bashkisë do t’i heqim për të çliruar biznesin dhe qytetarët. Askush nuk ka përse paguan për luksin e kryebetonierit të Tiranës”, premtoi ajo.

Në fund, Tabaku thotë se të gjitha përpjekjet e Ramës me zerime taksash janë gënjeshtra dhe mashtrime elektorale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë